TIRANE- Presidenti Bujar Nishani ka dekretuar ditën e sotme ambasadorët e Shqipërisë në disa vende. Kështu me dekret të Kreut të Shtetit, ambasador i Shqipërisë në Kuvajt do të jetë Saimir Bala.
“Në mbështetje të nenit 92, shkronja “dh” dhe 93 të Kushtetutës, me propozim të Kryeministrit, Dekretoj: Zoti Saimir Bala, emërohet në detyrën e ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Shtetin e Kuvajtit, rezident”, thuhet në dekret.
Ndërkaq, me dekret të Presidentit ambasadore e vendit tonë në Itali është emëruar Anila Bitri.
“Presidenti Nishani dekreton emërimin e znj.Anila Bitri, ambasadore në Republikën e Italisë, rezidente, si dhe në Republikën e Maltës, në Republikën e San Marinos dhe pranë Organizatës Ndërkombëtare të Bujqësisë dhe Ushqimit “FAO”, jorezidente”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Genti Gazheli është dekretuar ambasador në Republikën e Turqisë, rezident, si dhe në Republikën e Azerbajxhanit, në Republikën Islamike të Iranit, Republikën e Kirgistanit, Republikën Islamike të Pakistanit dhe në Republikën e Gjeorgjisë, jorezident.
(el.sp/BalkanWeb)
