Qeveria në detyrë e Kosovës bën me dije se Komisioni i Venecias i është përgjigjur kërkesës së Albin Kurtit për dekretin nga Presidenti për qeverinë e re.

Sipas njoftimit, Komisioni i Venecias thotë se duhet pritur vendimi nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Por qeveria në detyrë nuk hedh poshtë mundësinë që pas këtij vendimi t’i drejtohen prap Komisionit të Venecias.

“Kjo kërkesë u dërgua në Komisionin e Venedikut pasi që u publikua Dekreti i Presidentit dhe para vendimit për vendosjen e masës së përkohshme nga Gjykata Kushtetuese. Pasi Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim për vendosjen e masës së përkohshme deri më 29 maj, duke e pezulluar veprimin e Dekretit të Presidentit, dhe meqë Gjykata po e trajton këtë çështje, Komisioni ka vlerësuar që të respektojë vendimarrjen e Gjykatës Kushtetuese, pasi veçse ka vepruar. Ne e mirëpresim sugjerimin e Komisionit për të respektuar e pritur shqyrtimin e kërkesës dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Pas trajtimit nëse shihet nevoja për sqarime shtesë dhe ndihmë për opinion nga Komisioni, do të ndërmarrim hapat e nevojshëm”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Lëvizja Vetëvendosje menjëherë pasi Thaçi firmosi dekretin për formimin e qeverisë së re e çoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese e cila e pezulloi këtë proces në kuadër të shqyrtimit si dhe ishte po Kurti që i dërgoi letër Komisionit të Venecias për opinion mbi këtë dekret.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb