TIRANE- Këshilli i Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve miratoi ne unanimitet te plote sot aktet e ligjit të ‘Dekriminalizimit’, që do t’i hapin rrugën zbatimit të plotë të tij, pasi palët kanë arritur marrëveshjen sot rreth orës 12:00.

Negociatat e sotme kanë pasur në thelb disa çështje teknike, të cilat siç raporton gazetarja Marsela Karapanço janë tejkaluar dhe palët kanë arritur në një qendrim të unifikuar. Arritja e një marrëveshje për aktet nënligjore i hap dritën jeshile vijimit të mbledhjes së Këshillitë Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve, po ashtu edhe seancës parlamentare.

Mësohet se Komisioni i Mandateve miratoi ndryshimet me unanimitet, ndërsa materiali i akteve nënligjore i kalon seancës planerare për diskutim.

Gjatë ditës së djeshme, negociatorët e të dyja palëve, Taulant Balla (PS) dhe Oerd Bylykbashi (PD), në prezencë dhe të kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, vijuan takimet për gjetjen e konsensusit edhe për ato pika ku palët nuk kanë mirëkuptim. Procesi i verifikimit të formularëve të vetëdeklarimit është çështja ku PS dhe PD ende nuk kanë gjetur konsensus dhe që pritet ta arrijnë gjatë mbledhjes së sotme të Këshillit.

Kryeparlamentari Meta pohoi dje se palët kanë pasur një përafrim mjaft të gjerë në qëndrimet e tyre dhe se gjatë të premtes pritet të përmbyllet ky proces. Pas kalimit në Këshillin e Mandateve paketa nënligjore e dekriminalizimit do t’i kalojë për votim sencës së sotme plenare, e cila u shty dje për t’i dhënë kohë maxhorancës dhe opozitës në arritjen e një marrëveshje.

DODA: PROCESI PO TËRHIQET ZVARRË, PALËT TË GJËJNË KONSENSUSIN
Ndërkohë që maxhoranca dhe opozita nuk kanë dalë ende zyrtarisht për të deklaruar se çfarë po ndodh në Këshillin e Legjislacionet për aktet nënligjore dhe nëse ka një marrëveshje për kundërshtitë, deputetja Mesila Doda u bëri apel palëve të gjejnë konsensusin pasi nuk ka më asnjë justifikim. Doda tha se deri tani procesi po tërhiqet zvarrë.

“Nuk po ndodh asgjë deri tani. Po tërhiqet zvarrë procesi dhe parlamenti. Ligji ka hyrë në fuqi më 1 janar ndaj duhet t’i kishim miratuar aktet nënligjore. Thirrje forcave politike të mos e trajtojnë si një farsë. Të gjejnë konsensusin, të mos përdorin argumente false. Ky është një moment i rëndësishëm për shqiptarët. Tashmë nuk ka më asnjë justifikim. Palët duhet të gjejnë konsensusin. Parlamenti nuk mund të mbahet zvarrë”, tha Doda.

Ajo tha se shpreson shumë që parlamenti të fillojë punën normale. “Të implementohen aktet nënligjore që të mos kemi persona të inkriminuar. Ajo që po ndodh është asgjë, një tërheqje zvarrë, deputetët që presin të fillojë votimi i atyre amendamenteve dhe akteve”, deklaroi Doda.

(ed.me/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: