TIRANË

Ish-kryeministri Sali Berisha ka denoncuar kryeministrin Edi Rama për vendimin e lajmëruar dje për legalizimin e kanabisit.

Berisha tha se dëmton palcërisht procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Sipas tij, vendimi i Ramës është një akt shumë i pamenduar dhe se kanabisi shqiptar është krim.

“Të legalizosh kanabisin në Shqipëri vend i etiketuar si Kolumbi e Evropës apo kanabistan do të thotë të shkelmosh reputacionin e këtij vendi, ta bësh kanabisin simbol të Shqipërisë e cila vetëm në biodiversitetin e saj në speciet e bimëve aromatike ka dhjetëra bimë më të kushtueshme se kanabisi mbi të cilat mund të ngrihet një industri e fuqishme kozmetike dhe Edi Rama për shkaqe personale zgjedh kanabisin për ta bërë simbol të shqiptarëve. Vendimi i tij është një akt shumë i pamenduar mbasi iu garantoj që dëmton mundet dhe palcërisht procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.

Edi Rama shfrytëzon një rrymë pozitive, një klimë pozitive që është krijuar për hapjen e negociatave të Shqipërisë dhe RMV për shkak të agresionit rus në Ukrainë, por ky është një kalkulim shumë i gabuar sepse për Europën, për fqinjët tanë dhe Shqipërinë kanabisi shqiptar është krim dhe vetëm krim, është trafik kriminal, është organizata kriminale transadriatike e me radhë”, deklaroi Berisha.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb