VLORË

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, gjatë takimeve të drejtpërdrejta me biznesin në Vlorë diskutoi mbi masat e marra nga qeveria për uljen e taksave.

Dy masat e fundit, si rritja e pragut të TVSH deri në 10 milion lekë dhe heqja e tatimit mbi fitimin per bizneset me xhiro deri 14 milion lekë, janë jo vetëm masa lehtësuese  për tatimpaguesit, por  pritet të ndikojnë drejtperdrejtë edhe në formalizimin e ekonomisë.

Kjo ndihmë vjen edhe si mbështetje  për rimëkëmbjen e biznesit pas situatës së shkaktuar nga karantina prej COVID-19.

Denaj u shpreh, se “do të jetë një periudhë jo e lehtë, por Qeveria është pranë bizneseve për t’i dëgjuar dhe lehtësuar nga barra fiskale”.

Ndërsa vetë përfaqësuesit e bizneseve kanë pohuar se vendimi për zerimin e tatimit mbi fitimin nga 1 janari i vitit që vjen është i mirëpritur, pasi do të lehtësojë ndjeshëm kostot e tyre.

“Nga zerimi i tatimit mbi fitimin unë kursej rreth 200 mijë lekë në vit”, tha një sipërmarrës, duke shtuar, se edhe marrëdhënia dhe klima e biznesit ka ndryshuar, prej aktivitetit në doganë te proceset e kontrolleve.

Denaj ka thekuar, se heqja e tatimit mbi fitimin për bizneset me xhiro deri në 14 milionë lekë do të ndihmojë edhe në fomalizimin e ekonomisë.

Anila Denaj vijon turin e takimeve te drejtpërdrejta me sipërmarrje të vogla, te mesme dhe të mëdha në të gjithë vendin, ku po njihet nga afër me çdo problematikë të tyre.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb