Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë ka reaguar, pasi gazeta greke “Kathimerini” shkroi se ministri i Mbrojtjes i Greqisë nuk ishte ftuar në ceremoninë e hapjes së  bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë.

Në reagimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë, Tirana ka ftuar më 29 janar Dendias për ceremoninë, ndërsa më 14 shkurt, Ministria e Mbrojtjes e Greqisë u përgjigj se për shkak të angazhimeve të planifikuara tashmë, ai nuk do të mund të merrte pjesë në ceremoninë në Kuçovë më 4 mars. Por, në vend të ministrit në ceremoni kanë marrë pjesë zyrtarë të ambasadës greke në Tiranë.

Reagimi i Ministrisë së Mbrojtjes të Shqipërisë:

Shqipëria dhe Greqia gëzojnë një nivel shumë të mirë bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes si aleatë të përkushtuar të NATO-s. Jemi mirënjohës ndaj Greqisë (dhe Italisë) që për vite me radhë kanë kryer Policimin Ajror për vendin tonë. Me të njëjtën qëllim, më 29 janar, Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë dërgoi një ftesë zyrtare homologut të tij grek për të bërë një vizitë zyrtare në Shqipëri, që përkonte në të njëjtën kohë me ceremoninë e inagurimit të Bazës Taktike Ajrore të Kuçovës.

Më 14 shkurt, morëm përgjigjen se për shkak të angazhimeve të paracaktuara, Ministri i Mbrojtjes Dendias nuk do të mund të merrte pjesë në ceremoninë e 4 marsit. Në vend të tij, zyrtarë të lartë nga Ambasada e Greqisë në Tiranë morën pjesë në këtë ceremoni.

Jemi të keqardhur për lajme të tilla që nuk pasqyrojnë të vërtetën dhe realitetin në lidhje me bashkëpunimin tonë me shtetin tonë fqinj, Greqinë dhe që nxisin keqkuptime mes dy vendeve tona mike.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb