NGA LEDIONA XHELADINAJ*

Që prej tri ditësh, mbi 20 të dënuar në burgun e sigurisë së lartë në Drenovë janë futur në grevë urie, pasi kërkojnë që të zbatohet vendimi i marrë disa muaj më parë nga Gjykata Kushtetuese për veprën penale të “Armëmbajtjes pa leje”. Bëhet fjalë për të dënuarit e sektorit të sigurisë së zakonshme, të cilët janë ndëshkuar nga organet e drejtësisë për kryerjen e veprave të ndryshme penale, përfshi edhe atë të armëmbajtjes pa leje.

Të kontaktuar nga “Gazeta Shqiptare”, të dënuarit deklaruan se kanë hyrë në grevë urie pasi kërkojnë të drejtën e rigjykimit të tyre, kërkesë e cila ende nuk është marrë parasysh nga Gjykata e Lartë. Të indinjuar, ata deklaruan se po mbahen padrejtësisht në ambientet e institucionit të vuajtjes së dënimit, pasi në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese ata përfitojnë në mënyrë ligjore ulje të dënimit. Jo vetëm kaq, por 20 të burgosurit pohuan se Gjykata Kushtetuese ua ka dhënë atyre të drejtën e rigjykimit, por këtë të drejtë po e mban peng Gjykata e Lartë.

“Prej kohësh kemi qëndruar në pritje për t’u rigjykuar, por kjo ende nuk po ndodh. Kërkesën tonë ia kemi paraqitur drejtorit të burgut të sigurisë së lartë të Drenovës, Robert Kodra, por ende nuk kemi marrë një përgjigje konkrete. Jemi të tensionuar dhe të rënduar nga ana psikologjike, ndaj bëjmë apel për drejtësi, pasi mbi të gjitha jemi njerëz, pavarësisht gabimeve që kemi bërë në jetë”, pohuan të dënuarit që janë hedhur në grevë urie.

Sipas tyre, hyrja në grevë ishte e vetmja mundësi që të dëgjohet zëri i tyre. Mësohet se drejtuesit e burgut të Drenovës u kanë kërkuar të dënuarve që të dalin nga greva për të mos rënduar situatën shëndetësore, por këta të fundit nuk kanë pranuar, por janë të vendosur që të kërkojnë deri në fund të drejtën e tyre.

TE DENUARIT
“Jemi mbi 20 të dënuar në sektorin e sigurisë së zakonshme që kërkojmë të drejtën për rigjykim, në bazë të vendimit të marrë nga Gjykata Kushtetuese, e cila e ka konsideruar antikushtetues ashpërsimin e dënimit për personat që arrestohen për veprën penale të ‘Armëmbajtjes pa leje’. Jemi lodhur nga pritja dhe nuk mundemi të durojmë më. Kemi bërë kërkesa, por askush nuk kthen një përgjigje. Nuk arrijmë të kuptojmë përse nuk zbatohet vendimi i marrë nga Gjykata Kushtetuese. Nuk dalim nga greva e urisë derisa të dëgjohet ynë”, u shprehën të dënuarit.

Jo vetëm kaq, por 20 të burgosurit grevistë i bëjnë apel për ndihmë edhe Avokatit të Popullit. “Jemi të mbyllur pas hekurave dhe askush nuk na dëgjon. Jemi njerëz, jo kafshë. Drejtuesit e burgut, në vend që të respektojnë të drejtat tona, na kërkojnë të dalim nga greva duke ushtruar edhe presion ndaj nesh. Kjo që po ndodh është e tmerrshme. I kërkojmë Avokatit të Popullit të kthejë sytë nga ne, sepse askush tjetër nuk do t’ia dijë”, tha për “GSH”, njëri prej të dënuarve.

Ndërkaq, 20 të dënuarit pohuan gjithashtu se do të hidhen në protestë edhe familjarët e tyre në shenjë solidarizimi me ta. Nga ana tjetër, drejtuesi i IEVP-së Drenovë, Robert Kodra ka pranuar dje se disa të dënuar kanë nisur grevën e urisë, ndërsa ka sqaruar se shkak për këtë është bërë kërkesa e tyre për rigjykim. “Vakumi ligjor i ligjit 278/5 ka sjellë këtë ngecje të rishikimit të ligjit të ri.

Gjykata e rretheve nuk ka nisur asnjë gjykim, pasi ende nuk iu është dhënë një udhëzim apo një qarkore nga Gjykata e Lartë. Kjo pasi në Gjykatën e Lartë është bllokuar puna për një kohë të papërcaktuar. Të dënuarit kanë bërë edhe rekurs në Gjykatën e Lartë, ndërsa ende janë në pritje të saj”, – deklaroi Kodra.

(m.k/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: