Një video-promovuese e publikuar një ditë më parë nga kryeministri Edi Rama, ku prezantohej mjeti i parë ushtarak i prodhuar në Shqipëri nga kompania “Timak Defense” me drejtuese Arjeta Pucën, ka nxitur reagimet dhe akuzat e forta të opozitës, për skemë korruptive. Në video, Rama e vlerësoi dorëzimin e 39 mjeteve për ushtrinë si “fillimin e një historie të jashtëzakonshme të rilindjes së industrisë ushtarake”, ndërsa sipërmarrësja Puca e cilësoi këtë moment si “realizim të një ëndrre” pas kthimit të saj nga Turqia.
Deputeti i PD, Klevis Balliu shprehet se në fakt prapa projektit fshihet një skemë vjedhje si dhe e favorizimit dhe tjetërsimit të aksioneve. Sipas tij, “ëndrra për të cilët flet Arjeta Puca, është një skemë vjedhje e firmosur nga Belinda Balluku, ku Ron Yeffet ka blerë 40% të kompanisë Timak për 490 euro”.
Klevis Balliu: Kjo ëndërr për të cilën flet Arjeta, është një skemë vjedhje e firmosur nga Belinda Balluku, ku Ron Yeffet, shoku i ngushtë izraelit i Edi Ramës, të cilin tani e ka çuar edhe në pushime në jug, ky njeri bleu për 490 euro 40% të kompanisë së kësaj zonjës që bëri ëndrrën realitet, për 490 euro.
Dhe mbasi e bleu këtë kompaninë e Arjeta Pucës, çfarë ndodh? Bashkëpunon me kompaninë e Kayos dhe bashkërisht këto dy kompani krijojnë një kompani të tretë, e cila merr qindra miliona euro tendera.
Jo vetëm kaq, por Ron Yeffet dhe Puca kanë tani 80% të asaj kompanie që u krijua në bashkëpunim me një kompani të shtetit shqiptar.
