Dita e 64-të e protestës kundër qeverisë ka mbledhur sërish me qindra qytetarë përpara godinës së Kryeministrisë. Gjatë radhës së fjalimeve, një nga të rinjtë pjesëmarrës ka mbajtur një fjalim të fuqishëm ku ka denoncuar diferencat e mëdha sociale dhe përçarjen politike që, sipas tij, po u bëhet qytetarëve nga e gjithë kasta e vjetër politike.

Përmes një mesazhi të drejtpërdrejtë, i riu u bëri thirrje shqiptarëve që të tejkalojnë ndarjet partiake mes të majtës e të djathtës dhe të bashkohen kundër pushtetarëve që kanë abuzuar me vendin.

“Deputetët analfabetë do të marrin shuma marramendëse kur të dalin në pension, ndërsa të moshuarit tanë marrin nga 10 mijë lekë të reja. Ky është standardi që ka përçarë Shqipërinë!

Përçarja që shoh në Shqipëri nuk është më mes të majtëve dhe të djathtëve, por mes pushtetarëve dhe qytetarëve. Ata pikërisht këtë kanë si qëllim: ndërkohë që ne zihemi majtas e djathtas, ne nuk kemi guximin të shohim ata lart direkt në sy. Ndërkohë që harxhojmë kohën duke u zënë bashkë, nuk fokusohemi te problemi real që janë pushtetarët sot në parlament.

Kjo është taktika e tyre: përçarja dhe sundimi. Është që të na mbajnë të shtypur, por shqiptarët nuk e pranojnë më këtë! Nuk e pranojmë më që të etiketojmë njëri-tjetrin, shqiptarët janë zgjuar tashmë dhe janë bashkuar. Ky unitet, ky bashkim i kërcënon politikanët, sepse në momentin që ne bashkohemi dhe u tregojmë atyre vendin, u kërcënojmë milionat dhe pushtetin e tyre!

Shqiptarë, është koha që të mos mbajmë më krah partiak, por të mbajmë krahun e njëri-tjetrit! Do e shohim pushtetin në sy e do i themi që e ka gabim dhe nuk na dridhet syri. Do e bëjmë zërin tonë të dëgjohet nga këtu e të buçasë në të gjitha rrugët e Shqipërisë.

Është një strategji e vjetër: përça e sundo! Por, o shqiptarë, ne kemi qëndisur një mesazh për ata pushtetarë që mendojnë se do të na sundojnë: Ju nuk na sundoni dot! Nuk na përfaqësoni! Asnjë prej tyre nuk na përfaqëson — as Edi Rama, as Sali Berisha! Ne si shqiptarë do të përfaqësojmë njëri-tjetrin!

Sado spraj piperi e ujë me presion të na hidhni, e sado të na ofendoni, nuk do të ikim që këtu. Përkundrazi, i jepni më shumë zjarr këtij zjarri që ka nisur këtu në shesh”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb