Komisioni i Ekonomisë vendosi të rrisë pagat për ministrat dhe deputetët së bashku me 130 mijë punonjësit e administratës shtetërore. Për ekspertin e ekonomisë Zef Preçi ky propozim i deputetëve dhe i miratuar nga vetë ata bëhet në një kohë të papërshtatshme kur qytetarët në vend po përballen me rritje të çmimeve.

“Unë e konsideroj të pamoralshëm edhe pse burimet financiare tashmë i kanë marrë nga popullsia dhe konsumatori dhe që për fat të keq konsumatori është më i varfër se para një viti. Kjo për shkak të inflacionit, mungesës së politikave, pro zhvillimit, eksportit dhe njëkohësisht kanë kartonët e nevojshëm për të miratuar këtë vendim”, u shpreh ai.

Ndryshe nga eksperti Preçi, Gjergj Buxhuku thotë se në kushtet e një demokracie funksionale deputetët e kuvendit duhet të jenë më të mirëpaguarit në rast se ata do ta kryejnë ashtu siç duhet detyrën e tyre.

“Shqipëria është republikë parlamentare dhe natyrisht kuvendi është institucioni më i rëndësishëm i këtij vendi dhe në kushtet e një demokracie funksionale natyrisht që dhe ata duhet të jenë të mirëpaguar duke pasur parasysh peshën e tyre të madhe që kanë në vendimmarrje. Çështja është që mirëpagesa e deputetëve e kërkuar nga veta ata, do të ishte e përligjur në momentin kur ata do të kryenin detyrën e tyre që do të thotë të mos shërbenin vetëm si noter të akteve të qeverisë, të mos shërbenin si ushtar për ngritjen e kartonëve por të shërbenin si filtri fundor, meqenëse ata mbajnë përgjegjësi para zgjedhësve’, shprehet ai.

Pavarësisht rritjes së pagave për deputetët dhe administratën, ekspertët thonë se qeveria duhet ti kushtojë më shumë vëmendje pensionistëve duke rritur edhe për ta pensionet.

“Në këto rrethana ka nevoje për të bërë një rregullim, por jo duke rritur pagat e më të rriturve por duke harmonizuar edhe piramidën e pagave duke përfshirë edhe pensionet e lidhura me to sepse rritja e pagës minimale duhet të reflektojë rritjen e bazës që llogariten pensionet si dhe mbështetjen e shtresave në nevojë’, thotë Preçi.

“Ajo që ngelet për t’u trajtuar dhe anashkalohet është fakti që trajtimi i pensionistëve në Shqipëri është për të ardhur keq dhe nuk i është kushtuar rëndësi që në fakt meritojnë që të kenë. Natyrisht që këto janë vendime politike që vendosin vetë zgjedhësit nëse zgjedhësit vetë i mbështesin këto vendime të politikës atëherë politika e ka më të lehtë për t’i marr këto vendime”, tha Buxhuku.

Me ndryshimet e miratuara, paga e Kryetarit të Kuvendit dhe Kryeministrit shkon në rreth 393 mijë Lekë, e ministrit në 318 mijë Lekë, ndërsa e deputetit në 310 mijë Lekë. Pritet që pr.ligji për pagat të votohen në seancën parlamentare të së enjtes.

Ndërkohë rritja e pagave të deputetëve dhe ministrave ka indinjuar qytetarët në kryeqytet.

Për mikrofonin e News24 ata thonë se te parat që duhet të rriten janë pagat e qytetarëve dhe pensionet, në mënyrë që ata të përballojnë jetesën e vështirë.

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb