Partizani po kalon një moment të vështirë në Superiore dhe këtë e konfirmojnë 4 pikët e marra në 5 javët e para të kampionatit. ndeshja e radhës për të kuqtë, është derbi me Tiranën. Derbi i kryeqytetit nuk është thjesht një ndeshje për Partizanin.
Për historinë e fundit të klubit, përballja me Tiranën është kthyer edhe në një pikë referimi për fatin e trajnerëve. Dy sezonet e fundit kanë sjellë dy raste të ngjashme, ku humbja në derbi është shoqëruar me fundin e aventurës në stol. Tashmë, në prag të një tjetër përballjeje me bardheblutë, vëmendja është te Florin Bratu. Pas pushimit të kombëtareve, të kuqtë do të rikthehen në fushë pikërisht me derbin ndaj Tiranës. Për Bratun, sfida vjen në një moment delikat.
Në pesë javët e para të këtij sezoni, Partizani ka marrë një fitore, një barazim dhe ka pësuar tri humbje. Një tjetër rezultat negativ ndaj rivalit të përjetshëm do ta vendoste trajnerin rumun përballë një presioni edhe më të madh. Dhe historia e afërt tregon se derbi nuk ka qenë aspak i mëshirshëm me trajnerët e Partizanit.
MLADEN MILINKOVIÇ- Sezonin 2025-2026, Partizani e nisi me Mladen Milinkoviç në stol. Trajneri serb qëndroi vetëm gjashtë javë në drejtimin e skuadrës, pasi starti i kampionatit ishte larg pritshmërive. Në gjashtë ndeshje, Milinkoviç arriti të grumbullonte vetëm katër pikë, me një mesatare prej 0.67 pikësh për takim. Por ajo që vulosi fatin e tij ishte derbi i javës së gjashtë. Partizani u mposht 0-3 nga Tirana dhe, pas kësaj humbjeje, Milinkoviç u largua nga drejtimi i skuadrës. Në këtë mënyrë, derbi u kthye në pikën e fundit të aventurës së tij te të kuqtë.
OLTION KËRNAJA– Në vend të Milinkoviç erdhi Oltion Kërnaja, i cili arriti të qëndronte për pjesën dërrmuese të sezonit në stolin e Partizanit. Kërnaja drejtoi 30 ndeshje dhe regjistroi një mesatare prej 1.57 pikësh për ndeshje. Për një periudhë të gjatë, ai ishte figura në krye të stolit të kuq, deri në fundin e sezonit, kur u largua tre javë para përfundimit të kampionatit. Edhe në rastin e tij, derbi me Tiranën rezultoi vendimtar. Partizani humbi 2-1 dhe, pas kësaj disfate, Kërnaja i dha fund aventurës së tij si trajner i të kuqve. Ndryshe nga trajneri serb, Kërnaja e futi skuadrën e kuqe në “binarë” dhe e bëri një nga skuadrat që po luftonte për “final 4” deri në fund të kampionatit. Humbja në derbi rezultoi fatale për të, por si për ironi të fatit, Kërnaja ishte kthyer në “mjeshtrin” e derbit deri në atë pikë. Trajneri tropojan që e mori skuadrën në vështirësi, e fitoi 2 herë derbin me Tiranën duke e mundur 2-0 dhe 0-2 ndërkohë që e treta rezultoi e fundit për të, ku Partizani u mund me rezultatin 1-2.
FLORIN BRATU- Tashmë historia mund të ketë një tjetër kapitull. Florin Bratu është trajneri i Partizanit dhe përballë ka pikërisht Tiranën, në ndeshjen e parë pas pushimit të kombëtareve. Bilanci i tij deri tani është një fitore, një barazim dhe tri humbje në pesë ndeshje, ndërsa mesatarja prej 0.80 pikësh për takim nuk i jep shumë hapësirë për gabime. Nëse Partizani do të humbiste sërish, Bratu do të bëhej trajneri i tretë që largohet nga stoli i të kuqve pas një disfate në derbi, pas Milinkoviç dhe Kërnajës. Një statistikë që do t’i jepte një tjetër dimension përballjes së radhës. Pra, pas dy rasteve të njëpasnjëshme, derbi i radhës sjell sërish të njëjtën pyetje, nëse do të jetë Tirana edhe këtë herë ndeshja që përcakton fatin e trajnerit të Partizanit. Përgjigjen do ta japë fusha, por për Bratun sfida duket se vjen me një peshë shumë më të madhe se tri pikët e radhës.
