TIRANE- 28-vjeçari Selman Aliaj që vrau të atin në Shkozë, ndodhet në një gjendje të rëndë psikologjike. Hetuesve që e morën në pyetje, i riu kuksian u ka dhënë deklarata të ndryshme për ngjarjen, në varësi edhe të gjendjes emocionale.

Burime për “BalkanWeb” thotë se në dëshminë e tij, ai ka pranuar krimin e kryer, duke treguar madje edhe mënyrën sesi ndodhi ngjarja.

Ai thotë se e vrau babanë pasi i thoshte budalla. Më pas tregon se si e ka goditur të atin dhe se si është përpjekur ta fshehë kufomën.

“E godita me çfarë me kapi dora se ma solli në majë të hundës. Pastaj kur nuk po reagonte e mora në makinë e mbështolla me një qilim të vjetër dhe e hodha buzë liqenit”, ka thënë 28-vjeçari.
Por po sipas burimeve nga policia, në një moment të dytë ai e mohon autorësinë e krimit, duke u shprehur se “nuk ka lidhje me ngjarjen”.

Sipas policisë, po kaq e paqëndrueshme paraqitet edhe gjendja e tij emocionale, ku njëherë qan, dhe njëherë qesh.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Shkozë, ku 28-vjeçari Selman Aliaj pasi vrau babain e tij me çekiç, ia hodhi trupin në liqenin e Farkës.

Edhe pse krimi horror ndodhi në periferi të Tiranës, ceremonia mortore e 74-vjeçarit Fejzi Aliaj u zhvillua në qytetin e Kukësit, origjinën e tyre.

Të vetmit që gjendeshin këtë të hënë në banesën e familjes Aliaj, ishin disa të afërm që prisnin njerëzit për ngushëllim.

Dyshimet e para e policisë së kryeqytetit janë se i riu Selman Aliaj është përdorues i lëndëve narkotike, ndërsa pritet që çështje t’i kalojë për kompetencë Gjykatës së Krimeve të Rënda.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb