NGA KLODIANA LALA
TIRANË- “Në shtëpi nuk ka ndodhur asnjë grabitje. Gjithçka e sajova vetë, pasi nuk kisha marrëdhënie të mira me burrin dhe doja t’i tërhiqja vëmendjen. Sapo ai doli nga shtëpia unë hodha disa rroba në dysheme, mora një shumë lekësh dhe i fsheha në dhomën e gjumit të vjehrrës. Pastaj u vetëlidha në karrige dhe u afrova të dera, i rashë me këmbë që të dëgjonte ime vjehrrë…”.

Kjo është dëshmia e Dalina Azunit, gruaja e cila pak muaj më parë ngriti në këmbë policinë, pasi lajmëroi se në shtëpinë e saj në Pinet të Ndroqit kishin hyrë grabitësit, raporton “BalkanWeb”.

Në fillim gruaja u tha se grabitësi kishte hyrë nga dritarja dhe e kishte kapur prej flokësh, por nuk kishte mundur ta fiksonte këtë person.

Policisë nuk ju desh shumë kohë të kuptonte se nuk bëhej fjalë për një ngjarje kriminale, por ishte vetë 29-vjeçarja që e kishte sajuar historinë.

Vetë gruaja u kishte pohuar oficerëve, se kishte bërë një gabim me ngjarjen, duke dashur të normalizonte marrëdhënien me burrin e saj, me të cilin kishte disa kohë që nuk fliste për shkak të kunatit.

Dy muaj pas ngjarjes, Prokuroria e Tiranës përfundoi hetimet dhe dorëzoi në gjykatë dosjen penale ndaj 29-vjeçares, e cila do të përgjigjet përpara drejtësisë për akuzën e “njoftimit të rremë të organeve të rendit”, raporton “BalkanWeb”. Por përkundër nga sa pretendon e pandehura, bashkëshorti i saj, iu tha hetuesve se marrëdhëniet me Dalinën i ka patur të mira.

Në dëshminë dhënë para hetuesve Indrit Azuni ka shpjeguar se ditën e ngjarjes ndodhej në treg për të shitur prodhimet e tij dhe kur u kthye gjeti nënën në lot dhe gruan të frikësuar.
“Nga larg pashë që dritat e shtëpisë ishin ndezur. Kur hyra gjeta nënën që qante, edhe fëmijët qanin, gruaja dridhej. Nëna bërtiste “medet paratë”. Pashë që njerëzit ishin mirë dhe u shkova tek vendi ku kisha futur lekët që fitoja nga shitja e perimeve. Më mungonin 630 mijë lekë të vjetra. Pas kësaj njoftova policinë”, ka rrëfyer ai.

Ndonëse nuk ka kaluar shumë kohë nga ngjarja, duket se çifti i ka normalizuar marrëdhëniet, pasi burime të prokurorisë pohuan se vazhdojnë jetesën sëbashku.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb