FIER

Një ngjarje e rëndë është regjistruar ditën e shtunë në maternitetin e Fierit. Një grua shtatzënë e moshës 31 vjeçe ka humbur jetën, pas kryerjes se anestezisë lokale.

Elisabeta Lamaj, nënë e një vajze 3-vjeçare ishte në muajin e 9 të shtatzënisë dhe priste të sillte në jetë fëmijën e dytë, por fatkeqësisht ka humbur jetën pas kryerjes se anestezisë, që do të bente të mundur interventin.

Gazetari Ervis Kuçi raporton për “Balkanweb”se fatmirësisht mjekët kanë ndërhyrë, duke sjellë në jetë foshnjën e seksit femër, e cila është në gjendje të mirë shëndetësore.

Sipas Prokurorisë së Fierit, pas humbjes së jetës të 31-vjeçares, është njoftuar salla operative e policisë në Fier. Pas ngjarjes janë njoftuar familjarët, ndërkohë që bashkëshorti i të ndjerës Leonard Lamaj ka bërë kallëzimin penal në policinë e Fierit, duke akuzuar mjekët për mjekim të pakujdesshëm.

Sipas dëshmisë së mjekëve, shkak i humbjes së jetës së 31-vjeçares mendohet se ka qenë infarkti akut i miokardit, por pritet përgjigja e autopsisë.

Nga ana e policisë janë kryer veprimet proceduriale për këtë ngjarje dhe materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Fierit për vlerësim. Nga ana e Prokurorisë ka nisur hetimi për këtë ngjarje, ndërsa është kryer autopsia e trupit të së ndjerës dhe priten konkluzionet mjeko-ligjore për zbardhjen e shkaqeve të vdekjes.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb