POGRADEC

Zbardhen detaje të reja nga ngjarja e ndodhur në Maternitetin e Pogradecit, ku policia nisi hetimin ndaj një mjekje, duke e akuzuar se ka neglizhuar trajtimin mjekësor për një foshnje, që për rrjedhojë ka ndërruar jetë në Tiranë.

“BalkanWeb” zbardh detaje rrëqethëse mbi ngjarjen e rëndë, teksa thekson se foshnja ka lindur 24-javëshe në Maternitetin e Pogradecit, ndërsa në kartelë është shënuar si abort. Burime bëjnë me dije se ditën e lindjes foshnja nuk ka qarë, ndaj dhe stafi mjekësor i Pogradecit e ka konsideruar të vdekur, duke e vendosur në një kuti.

Kanë qenë familjarët e të porsalindurit, ata që kanë insistuar të shohin foshnjën e tyre dhe kur kanë hyrë te dhoma ku mbahej foshnja, e kanë dëgjuar të qajë.
Pas procedurave, foshnja është dërguar në Tiranë, por edhe pas shërbimit mjekësor, nuk ka mundur të jetojë.

Siç mëson “BalkanWeb”, babai i foshnjës ka deklaruar në polici të gjithë ngjarjen, duke pohuar se foshnja u gjet në një kuti.

Policia ka sekuestruar kartelën mjekësore dhe ka marrë deklarim të mjekes G. Shyta, e cila ka pranuar që ka qenë abort, e më pas ka ndodhur një “mrekulli”. Ndërkohë, sot dosja është dërguar në Prokurorinë e Pogradecit për veprime të mëtejshme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb