Ky është 63-vjeçari shqiptar Petrit Zifle që u vra nga arma e një ekstremisti grek në Lefkimi të Korfuzit, por lajmi u bë i ditur vetëm pasi arrestimit të kriminelit Dhimitris Kuris nga policia.

Fotoja e viktimës si dhe emri dhe fotoja e autorit u publikuan në emisionin “Dritare me Rudinën” mbrëmjen e sotme në News24.

Në fillim mediat greke thuajse e anashkaluan ngjarjen, ndërkohë që një muaj më parë për ditë të tëra kishin kryelajm vrasjen e minoritarit grek, që i armatosur terrorizoi fshatin Bularat dhe qëlloi mbi policinë.

Petrit Zifle ishte një shqiptar nga Berati që prej vitesh kishte vendosur të jetonte dhe punonte në një fshat të Korfuzit, për t’i qëndruar pranë së bijës.

Petrit Zifle
Petrit Zifle

Po çfarë ndodhi më 25 nëntor në Lefkimi?
63-vjeçari doli të dielën paradite nga shtëpia dhe nuk u kthye më, ndërsa telefoni i tij ishte fikur. Orët kaluan dhe të afërmit u alarmuan për mungesën e tij. Në këto kushte njoftuan policinë, e cila filloi kërkimet. Pas më se 24 orësh trupi i Petrit Zifles u gjet i pajetë në një rrugë jashtë fshatit.

Ai kishte plagë të armës së zjarrit, por në vendin e ngjarjes nuk kishte shenja gjaku, gjë që sipas policisë lë të kuptohet se vrasësi e kishte zhvendosur trupin nga vendi i krimit.

Pas kësaj u deshën 5 ditë që policia të kapte vrasësin, që njihej në fshat si një njeri agresiv. Sipas medias dhe banorëve të fshatit 44-vjeçari (në foto) nga i njëjti fshat, rezulton të jetë anëtar i Agimit të Artë në Lefkimi, madje dhe mbikëqyrës i kësaj partie ne ditën e zgjedhjeve. Është aq ekstremist sa që në shpatullën e tij ka bërë tatuazh një kryq të thyer nazist. Ai e pranoi krimin, dhe ka rrëfyer versionin e tij për atë ndodhi të dielën në Lefkimi.

Greku
Greku

Familja e të ndjerit kërkon drejtësi dhe vëmendje nga shteti, sepse për ta vrasja ka vetëm një motiv; Petrit Zifle ishte shqiptar!

(News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb