Ish-deputeti dhe ish-këshilltari i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, Kreshnik Çollaku, ka komentuar në “Minuta e Parë” me Ola Brukon në Neës24 zhvillimet e fundit rreth Ergys Agasit dhe Vlora Hysenit.
Çollaku tha se historia Agasi-Hyseni, sipas tij, po hiperbolizohet dhe mund të jetë duke u përdorur si alibi për të mbuluar çështje të tjera.
“Historia Agasi-Hyseni po hiperbolizohet për t’u përdorur si alibi. Mendoj se Agasi është përdorur nga Hyseni. Mesazhet e dala janë të denja për një adoleshente 18-vjeçare të çmendur nga dashuria që thotë ‘për ty shemb botën dhe djeg shtëpinë e babait’”, u shpreh ai.
Çollaku deklaroi se nuk e ka takuar personalisht Hysenin, por tha se, bazuar në eksperiencën që i atribuon asaj, nuk e konsideron të besueshme që veprimet e saj të shpjegohen thjesht përmes një marrëdhënieje personale.
“Nuk e kam takuar Hysenin vetë, por është njeri me shumë ekspertizë dhe naivët nuk e bëjnë dot agjenten e terrenit që ajo e bënte. Më kërcasin dy versionet”, tha Çollaku.
Duke iu referuar Agasit, ai hodhi pretendimin se biznesmeni mund të ketë grumbulluar informacione për personat që kanë hyrë në zyrën e tij dhe se këto të dhëna mund të jenë përdorur si mjet presioni.
“Flitet që Agasi është bankë informacioni dhe armë shantazhi për këdo që ka hyrë në zyrën e tij. Nuk është koleksionist maniakal, por keqbërës. Për mendimin tim e ka bërë që të ketë fuqinë e shantazhit me këdo”, deklaroi ai.
Çollaku ngriti edhe shqetësimin për mundësinë që materiale të regjistruara të zyrtarëve shqiptarë të përfundojnë në duart e shërbimeve të huaja.
“Ministra, kryeministri të filmuar, imagjino të shkojnë videot në duart e armiqve të Shqipërisë. Në duart e një shërbimi armiqësor, rrezikohet siguria”, tha ai.
Ish-këshilltari i Vjosa Osmanit komentoi edhe qëndrimet e kryeministrit Edi Rama ndaj rasteve të ndryshme, duke i cilësuar si dy qasje të ndryshme.
“Kemi dy Rama të ndryshme. Për Ballukun kërcënoi gjithë dynjanë, nuk hoqi imunitetin, akuzoi drejtësinë dhe rrezikoi marrëdhëniet e vendit me BE-në. Në rastin tjetër e shkarkoi dhe tha: ‘Aman, merreni’”, u shpreh Çollaku.
Në fund, ai tha se nuk dihet se çfarë informacionesh mund të kenë Agasi dhe Hyseni dhe se çfarë pasojash mund të ketë përfshirja e tyre në këto zhvillime.
“Është veprimi i një Rame të trembur. Nuk e di se çfarë kanë ata për të. Nuk dihet sa do të qëndrojnë Vlora dhe Ergysi përballë kokës së tyre”, deklaroi Çollaku.
