LUSHNJE

Detaje të reja dalin në dritë nga shpërthimi që ndodhi sot në Bashkinë e Lushnjës, ku u plagos kryebashkiaku Fatos Tushe. Ngjarja e rëndë ndodhi në orën 08:00 në momentin që Tushe ka hyrë në zyrë. Mësohet se nga shpërthimi është plagosur edhe sekretarja e kryetarit, Erisa Qalliu.

Gazetari Ervis Kuçi raporton për ‘BalkanWeb’ se pak pasi kryetari i Bashkisë ishte futur në zyrë, aty ka hyrë dhe ish-shoferi i tij Gëzim Saraçi dhe ka lëshuar brenda një mjet shpërthyes. “BalkanWeb” mëson se ish-shoferi i Kryetarit të Bashkisë, Gëzim Saraçi e ka pritur  Fatos Tushen te shkallët e bashkisë, ndërsa më pas kanë shkuar në zyrë dhe kanë debatuar ashpër me njëri-tjetri. Në debat e sipër, ish-shoferi raportohet se ka nxjerrë nga xhepi i xhupit një lëndë plasëse, e cila më pas ka shpërthyer duke lënë të plagosur Tushën, por edhe sekretaren e tij.

Burime policore thanë për Kuçin se Saraçi është shpallur në kërkim. Nuk dihet se cili ka qenë mekanizmi i shpërthimit, por nga të dhënat paraprakë mësohet se shpërthimi ka ndodhur në zyrë. Ndërkohë, policia ka ngritur postblloqe në të gjithë hyrjet dhe daljet e qytetit. Gazetarja Dorjana Bezat raporton se drejt Lushnjës është nisur me urgjencë dhe drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe Tonin Vocaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb