Një shpërthim i fuqishëm është regjistruar sot në bashkinë e Lushnjës, ku për pasojë ka mbetur i plagosur kryebashkiaku Fatos Tushe dhe sekretarja e tij, Erisa Qalliu. “BalkanWeb” mëson se shpërthimi ka ndodhur në zyrën e Tushes.

Pak pas ngjarjes kryebashkiaku dhe sekretarja janë transportuar me urgjencë në spital, ndërsa thuhet se janë jashtë rrezikut për jetën. Aktualisht në vendin e ngjarjes ndodhet policia, e cila po heton për zbardhjen e shkaqeve të shpërthimit.

NGJARJA
Nga informacionet që përcjell gazetari Ervis Kuçi, mësohet se ka qenë ish-shoferi i kryetarit të Bashkisë 45-vjecari Gëzim Saraci, i cili e ka pritur kryetarin e bashkisë jashtë bashkisë para se ai te vinte për në punë dhe është ngjitur bashkë me të drejt zyrës. Gjatë kësaj kohë kanë debatuar së bashku dhe kur kanë hyrë në zyrë ai ka nxjerrë një mjet shpërthyer, që dyshohet se ishte granatë, dhe e ka shpërthyer. Nga shpërthimi është plagosur lehtë kryetari i bashkisë Fatos Tushe dhe më rëndë sekretarja e bashkisë Erisa Qalliu. Gëzim Saraci, nga Karbunara ka qenë shofer i Tushes dhe gjatë punës kanë patur debate, shkak për të cilin ai është pushuar nga puna 3 vite më parë. Kjo besohet se ka qenë edhe arsyeja e aktit të sotëm. Gëzim Saraçi është shpallur në kërkim dhe për kapjen e tij janë ngritur postblloqe policore. Në Lushnjë kanë shkuar drejtori i përgjithshëm i policisë dhe Drejtori i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, Tonin Vocaj.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: