Taylor Swift dhe Travis Kelce i kanë dhënë zyrtarisht fund beqarisë. Ndërsa dalin gjithnjë e më shumë detaje nga ceremonia e shumëpërfolur, fansat po flasin për atë që konsiderohet një nga dasmat më të bujshme të vitit 2026. Mes të ftuarve ishin emra të njohur si Selena Gomez, Jennifer Lopez dhe Emma Stone.

Për të përballuar emocionet, çifti kishte menduar edhe për të ftuarit. Në çdo vend ishte vendosur një shami e qëndisur, në rast se lotët do të ishin të pashmangshëm. Taylor, e veshur me një fustan martese të krijuar posaçërisht nga Dior, lexoi betimet e saj nga një libër me kopertinë të artë.

Pikërisht ato fjalë prekëse thuhet se e emocionuan aq shumë Travis-in, sa ai nuk mundi të përmbante lotët. Edhe betimet e tij ishin po aq të gjata dhe personale. Në vend të premtimeve të zakonshme, çifti zgjodhi të mbante fjalime të gjata dhe intime, ku rrëfyen historinë e dashurisë së tyre dhe premtimet për të ardhmen. “Ishte një ceremoni vërtet intime,” u shpreh gazetarja Robin Roberts gjatë emisionit “Good Morning America”.

Sipas saj, mes të ftuarve nuk kishte vetëm yje të njohur, por edhe fqinjë, miq të vjetër dhe shokë të shkollës së mesme të çiftit. Një tjetër element që tërhoqi vëmendjen ishte dekori spektakolar, i frymëzuar nga një kopsht sekret. Taylor eci drejt altarit në një ambient të shndërruar në një pyll magjik me lule të bardha, pemë dhe fierë natyralë. Për këtë rast, Madison Square Garden ishte transformuar plotësisht në një botë romantike, me qilim ngjyrë vjollcë dhe dekor përrallor.

Festimet vazhduan edhe pas ceremonisë. Sipas burimit, Paul McCartney interpretoi këngën “I Want to Hold Your Hand” për çiftin e sapomartuar, ndërsa më pas në skenë performuan edhe Stevie Nicks dhe Tim McGraw. Pas ceremonisë, nëna e Taylor-it mirëpriti të gjithë të ftuarit në sallën e pritjes, ku ishte ngritur një skenë për performancat muzikore. Të pranishmit shijuan disa bare dhe kënde gastronomike me specialitete të ndryshme, përfshirë sushi dhe gatime italiane. “Ishte e mbushur plot,” tha burimi, duke iu referuar Madison Square Garden, arena që zakonisht pret rreth 22 mijë spektatorë gjatë koncerteve. Në fund të ceremonisë, pasi Taylor Swift dhe Travis Kelce u shpallën zyrtarisht burrë e grua, një ekran gjigant pranë arenës u ndriçua me mesazhin: “Just T&T Married!” (“Taylor dhe Travis sapo u martuan!”).

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: