Nga: FATMIRA NIKOLLI*
TIRANE – Ka shumë paqartësi në këtë histori, e vetmja gjë e qartë është zhvillimi i kësaj historie sipas një skenari tashmë të njohur e të eksperimentuar në raste të tjera, sa në Himarë, në Përmet, Kosinë, Boboshticë e gjetkë”. Kështu shprehet për “GAZETA SHQIPTARE”, historiani e studiuesi Pëllumb Xhufi, në lidhje me përplasjen për kishën e Shën Thanasit në Dhërmi.

Teksa e sheh si një çështje që u përdor për të nxitur konflikt, ai kritikon INUV-in, Bashkinë e Himarës dhe Ministrinë e Kulturës që deri më tani nuk kanë dalë të sqarojnë zyrtarisht se çfarë ndodhi në Himarë dhe pse. Duke kujtuar se konflikte të tilla, sado të vërteta apo të stisura qofshin, nuk mund të zgjidhen me një “fali Zot, se s’dinë ç’bëjnë”, që vetëm sa ndez gjakrat, Xhufi vëren në një intervistë për “GSH”, se ky episod duhet të shërbejë për të ndarë njëherë e mirë kufijtë midis “pushteteve të konstituuara” dhe “pushteteve të pakonstituuara”.
– Ka pasur një përplasje për kishën e Shën Thanasit në Dhërmi, mes INUV-it dhe OMONIA-s. Ndërsa INUV-i pretendon se (ri)ndërtimi ishte pa leje, OMONIA e më pas KOASH kanë dalë kundër. Cili është mendimi juaj për përplasjen?
Ka shumë paqartësi në këtë histori, dhe ende pas dy ditësh nuk dimë nëse bëhet fjalë për një ndërhyrje të paligjshme strukturore në kishën e Shën Thanasit, nëse kjo gëzon statusin e një monumenti kulture që mbrohet nga shteti, nëse INUV-i dhe Bashkia e Himarës kanë ndërhyrë për të parandaluar apo për të prishur një ndërtim pa leje që e fyen dhe e shëmton atë vend të shenjtë, apo kanë shkuar aty me “axhenda” personale, për të hapur varrin e një kleriku, që dikush e mban për shenjtor e dikush tjetër për djall, apo, siç flasin gojë të tjera, për të gjetur ndonjë “thesar floriri”. E vetmja gjë e qartë është zhvillimi i kësaj historie sipas një skenari tashmë të njohur e të eksperimentuar në raste të tjera, sa në Himarë, në Përmet, Kosinë, Boboshticë e gjetkë: kapet rasti apo krijohet enkas provokimi, të cilin drejtuesit e Kishës Autoqefale “shqiptare” e mediatizojnë dhe e dramatizojnë për t’i hapur rrugë ndërhyrjes “politike” të PBDNJ-së e të OMONIA-s, dhe më tej, për ta mbyllur qarkun “deklarata” e radhës e Ministrisë së Jashtme të Greqisë. Duke lënë mënjanë PBDNJ-në dhe OMONIA-n e Duleve dhe të Bollanove, ajo që lë shije të hidhur është roli që KOASH i ka dhënë vetes, si një institucion që e shfrytëzon shenjtërinë dhe imunitetin e vet për të nxitur e për të ushqyer konflikte ndërshqiptare, për të ndërtuar me çdo kusht raporte armiqësore me shtetin shqiptar e për t’u futur nën protektorate të dyshimta, gjithsesi antishqiptare.
-Kisha Ortodokse pretendon se janë dëbuar besimtarët. OMONIA ka kundërshtuar ndërhyrjen. Në fakt, a ka të drejtë OMONIA të ndërhyjë?
Edhe njëherë, insistoj të them se ende nuk jemi të qartë për shkaqet, protagonistët e detajet e ngjarjes. Në këto kushte, kur zëdhënësi i KOASH flet për besimtarë të dëbuar nga kisha, më lind dyshimi se këta mund të ishin, jo besimtarë, por “mitingashë”, si ata që krerët e KOASH-it çonin me autobusë në Përmet për të mbajtur të pushtuar pallatin e kulturës, të cilin krerët në fjalë donin ta kthenin me çdo kusht në kishë, duke shpërfillur deri edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Por, duke iu kthyer kishës së Shën Thanasit, dhe nisur nga fotot e botuara e që tregojnë gjendjen aktuale të saj, të pushton pikëllimi dhe të vjen të thuash se ai vend plot shenjtëri e histori nuk meriton të trajtohet në atë mënyrë. Nëse konflikti ka nisur për atë terracë të shëmtuar prej betoni e ndonjë tjetër “ekstravagancë” që është hedhur mbi muret e rrënuara të kishës, unë personalisht do të isha në krah të autoriteteve të pushtetit lokal e të INUV-it. Ajo kishë meritonte të shpëtonte nga ai turp e nga ajo barbari e neveritshme. Sigurisht, duke zbatuar me përpikmëri ligjin e duke bashkëpunuar ngushtësisht me komunitetin dhërmiot dhe kishën ortodokse.
-Në të njëjtën rrymë ka qenë edhe reagimi i PBDNJ-së, e cila ka thënë se aktet kanë nuanca të persekutimit. Si e lexoni ju deklaratën?
Lidhur me PBDNJ-në dhe OMONIA-n, nëse këto dy organizata janë ngritur për të mbrojtur e për të promovuar të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri, do të thosha se Dhërmiu dhe Himara nuk janë vendi i duhur për të ushtruar misionin e tyre. Historia tregon se himarjotët janë shqiptarë dhe si shqiptarë, kur ka ardhur koha e kur e ka dashur puna, u kanë vënë hurin romakëve, venecianëve, napoletanëve, turqve, grekëve, gjermanëve e italianëve. Imagjinoni se ç’do bëjnë me tartarintaraskonët e PBDNJ-së e të OMONIA-s ditën kur këta do t’ua sjellin vërtet në majë të hundës. Në fakt, drejtuesit e këtyre dy organizatave, me gjithçka janë marrë, por jo me interesat e minoritetit grek. Kurrë nuk i kemi dëgjuar të protestojnë për papunësinë, për mungesën e ujit, për mungesën e infrastrukturës në fshatrat e minoritetit, makar edhe për gjendjen e mjerueshme në të cilën gjenden kishat e manastiret e stërlashta ortodokse në Mesopotam, në Peshkëpi, në Derviçan, Sofratikë e gjetkë. Dulet dhe Bollanot merren me probleme të mëdha, merren me çështjen e Kosovës, me çështjen e varrezave, monumenteve e të simboleve shovene greke në Kosinë, Korçë, Gjirokastër e Boboshticë, merren me problemin e kufijve detarë greko-shqiptarë, me problemin e marrëdhënieve amerikano-shqiptare, italo-shqiptare, gjermano-shqiptare, euro-shqiptare apo turko-shqiptare, gjithnjë duke u rreshtuar në mënyrë agresive kundër pozicioneve dhe interesave të shtetit shqiptar, si zëdhënës të grupimeve më radikale greke. Ndaj, edhe fut-hundja e tyre e fundit në çështjen e kishës së Shën Thanasit në Dhërmi ishte e pritshme, ishte një rast për të ndërtuar e për të fryrë provokimin dhe, mundësisht, konfliktin e radhës.
-Këshilltari i kryeministrit për urbanistikën e ka cilësuar si një akt të OMONIA-s që bëhet për shkak të injorimit të historisë së këtij vendi. A e shihni dhe ju kështu?
Këtu vijmë në pjesën më të hidhur të kësaj historie. Kemi pritur këto dy ditë që të flisnin përfaqësuesit e Ministrisë së Kulturës, të Institutit të Monumenteve, të Bashkisë së Himarës e të INUV-it për të na sqaruar se ç’po ndodhte në të vërtetë në Dhërmi. Nuk u bë e gjallë as vetë ministrja e Kulturës, zonja Kumbaro, e cila nuk mungon të dalë vetë kur bëhet fjalë për të kumtuar “suksese” të paralajmëruara. Erdhi vetëm një reagim i Këshilltarit të Kryeministrit, një reagim ex cathedra, që nuk sqaron gjë mbi arsyet që kishin bërë të domosdoshme ndërhyrjen e INUV-it në kishën e Shën Thanasit, mbi institucionet e përfshira në këtë aksion, mbi bashkëpunimin, me sa duket të munguar, mes institucioneve përgjegjëse të Ministrisë së Kulturës dhe organeve të pushtetit vendor e gjithashtu, mbi bashkëpunimin, me sa duket gjithashtu të munguar, midis këtyre institucioneve përgjegjëse dhe palëve të interesuara, komunitetit dhërmiot dhe kishës ortodokse. Konflikte të tilla, sado të vërteta apo të stisura qofshin, nuk mund të zgjidhen me një “fali Zot, se s’dinë ç’bëjnë”, që vetëm sa ndez gjakrat. Më duket e pavend dhe spekulative ta përligjësh ndërhyrjen “enigmatike” në kishën e Shën Thanasit me motive “shqiptarie”, duke implikuar edhe figurën e përvuajtur të murgut Nilo Catalano, që për hir të së vërtetës, në të gjallë të tij, nuk duhej njëlloj nga të gjithë shqiptarët dhërmiotë. Por, mbi të gjitha, më duket e pavend dhe joproduktive dalja e z. Shkreli, i cili, si këshilltar i Kryeministrit, me protagonizmin e vet përligj çdo hamendësim dashakeq lidhur me një kinse “përzierje” të z. Rama në këtë histori, që do duhej trajtuar vetëm si një zënkë banale. Shumëkush e di, ose e merr me mend, se udhëheqja e KOASH-it dhe ajo e PBDNJ-së kanë shumë arsye për të qenë “të pakënaqur” nga z. Rama dhe qeveria e tij. Të kuptohemi, më së shumti bëhet fjalë për arsye të mosarsyes. Por, kjo nuk do të thotë se shëndetit të qeverisë e të Kryeministrit i bën mirë përfshirja në një konflikt të sajuar, ku njëra palë (KOASH, PBDNJ, OMONIA) luan me dinakërinë e provokimin, kurse pala tjetër bën të fortin me vetëkënaqësinë dhe arrogancën që i jep pushteti. Ndaj, mendoj se Ministria e Kulturës, Instituti i Monumenteve dhe përfaqësuesit e pushtetit vendor e të INUV-it janë të vetmit ata që, duke u shprehur hapur e qartë, do mund të shpërndajnë retë e paqartësisë e t’i japin fund një historie që ka filluar t’i bezdisë të gjithë. Me këtë rast do të doja shumë, që ky episod të shërbente për të ndarë njëherë e mirë kufijtë midis “pushteteve të konstituuara” dhe “pushteteve të pakonstituuara”, siç janë ato që përfaqësojnë sot disa “këshilltarë” të gjithëpushtetshëm, që nuk mjaftohen të japin “këshilla”, por drejtojnë e vendosin në mënyrë të pakontrolluar.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: