Në Komisionin e Ligjeve deputetja dhe njëkohësisht nënkryetarja e LSI, Erisa Xhixho, ka ngritur shqetësimin teksa në komision ishte Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca, në lidhje me arrestimet e policisë në tubimet e zhvilluara nga qytetarët.

Sipas Xhixhos, një vendim i Gjykatës Kushtetuese detyron Parlamentin të amendojë nenin 262 të Kodit Penal dhe për këtë LSI ka paraqitur propozimet e saj prej kohësh. 5 muaj pas vendimit të Kushtetueses, u shpreh Xhixho, ende ky vakum nuk është plotësuar.

Mesazhi i plotë:

Sot në mbledhjen e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut i kërkova Avokatit të Popullit adresimin e dy çështjeve konkrete.
? E para ka të bëjë me arrestimet e paligjshme dhe dhuna e ushtruar ndaj qindra qytetarëve në protestat e muajve të fundit. Në një nga pikat e saj, rezoluta e Parlamentit Europian, e miratuar më 19 maj 2022, adresoi edhe lirinë e tubimit.
LSI ka depozituar në mars të këtij viti nismën ligjore për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për amendimin e nenit 262 të Kodit Penal.
Kuvendi i Shqipërisë e ka detyrim ligjor plotësimin e këtij amendimi. Por ende 5 muaj pasi ka mbaruar afati i lënë nga Kushtetuesja, nuk ka ende asnjë reflektim nga institucioni ligjvënës i vendit. I kërkova Avokatit të Popullit informacion nëse kjo është pjesë e rekomandimeve të tij.
? E dyta ka të bëjë me stafin e pamjaftueshëm pranë institucionit të Avokatit të Popullit për adresimin e dhunës dhe abuzimit ndaj fëmijëve.
Është në detyrën tonë që në momentin e parë të alokojmë buxhet që stafi të jetë mjaftueshëm i plotësuar për të trajtuar raste të tilla, duke u nisur nga gjendja alarmante dhe pasiguria e prindërve për rastet e abuzimit në shkolla. Mjafton të kujtojmë këtu rastet e fundit në Lushnje, Kamzë apo Berat. Mësues edhe të dënuar për ngacmim seksual janë përfshirë sërish në sistemin arsimor.
I kërkova institucionit të Avokatit të Popullit të përfshijë në mekanzimat e nxitjes së mbrojtjes së fëmijëve propozimin tone për “Regjistrin kombëtar të të dënuarve për krime seksuale”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: