Federata Shqiptare e Futbollit, dënon ashpër dhunën e ushtruar pas përfundimit të ndeshjes së javës së 33 të kampionatit kombëtar të Superligës Tirana-Partizani, të zhvilluar mbrëmë në stadiumin “Selman Stërmasi”. Duke e konsideruar të rëndë një ngjarje të tillë, e cila nuk ka asnjë lidhje me lojën e futbollit dhe frymën e “Fair Play”, ajo i tërheq vëmendjen klubeve për të marrë masa që ngjarje të tilla të mos përsëriten.

Gjithashtu Federata kërkon të sensibilizojë opinionin futbolldashës shqiptar, se acarimi i situatës përpara ndeshjeve të rëndësishme (sidomos kur bëhet fjalë për ndeshje derbi), krijon tension dhe mund të prodhojë akte të dhunshme ashtu siç ndodhi dje, në mbrëmje.

Federata Shqiptare e Futbollit i kërkon komisioneve përkatëse, që të zbatojë në mënyrë rigoroze rregulloren për shkaktarët e ngjarjeve të tilla, që s’kanë lidhje me futbollin.
Nga ana e tyre, vetë klubet duhet të punojnë sa më shumë me tifozeritë dhe stafet e tyre që ngjarje të tilla të mos përsëriten. Dhe kjo, nuk bëhet në një ditë, por duke bashkëpunuar vazhdimisht.

(er.shk/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb