Mbrëmjen e djeshme, në spitalin e Pogradecit, është paraqitur për mjekim, shtetasi D. K., 48 vjeç, banues në Memëlisht, i cili deklaroi se gjatë një konflikti për motive të dobëta me shtetasin Aleksander Seitllari, ky i fundit e kishte goditur me grushte dhe me sende të forta.

Shërbimet e Policisë, menjëherë pas këtij informacioni, organizuan punën dhe lokalizuan shtetasin A. S., gjatë kohës që po qarkullonte me automjetin tip “Benz”. Ky shtetas, pas shenjës për ndalim, nga Policia, nuk e ka ndaluar automjetin dhe ka tentuar të largohet. Pas ndalimit nga Policia dhe kryerjes së testit të alkoolit rezultoi se shtetasi A. S. e drejtonte automjetin, në gjendje të dehur.

Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet u gjetën një thikë dhe një shkop druri, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec arrestuan në flagrancë shtetasin A. S., 28 vjeç, banues në fshatin Memëlisht, Pogradec dhe materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për veprime të mëtejshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: