VLORË

Tre ditë pas ngjarje së rëndë në Himarë, del para gjykatës pronari i lokalit që dhunoi turistët spanjollë.

I shoqëruar nga avokatëy, Mihal Kokëdhima ka dalë para gjykatës së Vlorës për t’u njohur me masën e sigurisë.

Gjyqtare e çështjes është Esmerilda Habilaj, ndërsa prokuror Saimir Smaka. Kokëdhima u arrestua pasi goditi me sende të forta furgonin e një grupi spanjollësh që kishin shkuar për të drekuar në restorantin e tij në Porto Palermo.

Pas pakënaqësisë së turistëve për shërbimin, Kokëdhima shpërtheu në dhunë ndaj tyre. Por në seancën e sotme ai ka deklaruar se nuk i ka prekur me dorë.

“Më morën zvarrë me makinë. Ç’është kjo punë nuk kam prekur njeri me dorë. Ku kanë faktet që i preka me dorë. Më rrëzuan në Qeparo, nga makina. Unë nuk e theva xhamin për t’i dëmtuar por për t’u mbajtur.
Unë u mora targën, telefonova policinë. Ata futën marshin të më shtypnin dhe unë u hodha në kroskot. Kam dy fëmijë në shkolle në Gjermani. Ne dy muaj punojmë. Më lini të punoj”, ka thënë Kokëdhima.

Avokatët e tij kanë kërkuar masë sigurie më të butë, duke ofruar edhe garanci pasurore deri në 3 mijë euro duke hedhur poshtë akuzat. Mihal Kokëdhima akuzohet për “kanosje”, “Dëmtime të tjera me dashje” dhe “Shkatërrimi i pronës”.

Ngjarja shkaktoi reagim të opinionit publik dhe vetë shtetit, pasi kujtojmë se Ministri i Turizmit Blendi Klosi zhvilloi një takim me familjen nga Spanja.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb