TIRANË

Kryeparlamentari i Shqipërisë Gramoz Ruçi ka zhvilluar një takim në Tiranë me homologun e tij nga Kosova, Glauk Konjufca.

Ruçi theksoi se Kosova duhet të ruajë avantazhin me Beogradin, duke shtuar se Tirana njeh Serbinë si një palë përgjegjëse për krimet e luftës së Kosovës.

Konjufca nga ana e tij vlerësoi se Kosova nuk duhet që të dëmtohet nga dialogu me Serbinë, ndërsa bëri thirrje për bashkëpunim me Shqipërinë, që të mbrohet lufta e pastër e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gramoz Ruçi: Është e rëndësishme që Kosova të ruajë avantazhin e saj në raport me Serbinë. Kosova është një vend më i preferuar në raport me shtetet, që ne kemi pasur e kemi raport strategjik. BE është e vetmja rrugë e ardhmërisë për Kosovën dhe Serbinë. Duhet një qëndrim i unifikuar për dialogun me Serbinë, sepse është Serbia ajo që ka kryer krime lufte, ka fshehur kriminelë, në kërkim për dekada të tëra dhe nuk ka bashkëpunuar me gjykatat ndërkombëtare dhe justifikon krimet e veta. Koha punon për Kosovën, sepse është në anën e drejtë të drejtësisë dhe nuk do rreshtim së punuari për të.

Glauk Konjufca: Shqipëria ka dhënë kontribut të çmuar për Kosovën. Prandaj, në shtetin tonë ka një traditë në Kosovë, që vizitën e parë zyrtare e bëjmë në Shqipëri. Ne kemi interesa të përbashkëta sepse jemi një komb. Politika jonë duhet të funksionojë sipas premisës se jemi një komb. Sfidat tona janë të përbashkëta. Falënderoj Shqipërinë dhe institucionet e shtetit shqiptar për ndihmën nga koronavirusi.

Duhet të thellojmë bashkëpunimin në ekonomi dhe në fusha të tjera. Të thellojmë bashkëpunimin, sepse jemi dy shtete, që kanë të përbashkët faktin se jemi një komb. Kosova të mos dëmtohet nga dialogu me Serbinë. Ne na duhet koordinimi me Shqipërinë, ne po përballemi edhe me proces të vështirë me Specialen, teksa ish-krerë të UÇK-së po gjykohen në Hagë. Të bashkërendojmë veprimet tona. Lufta jonë ishte e shenjtë, e drejtë dhe e pastër e ka qenë dhe e gjithë kombit shqiptar. Prandaj, lufta e UÇK-së duhet të mbrohet. Ju ftoj zyrtarisht që të vizitoni shtetin e Kosovës.

Më poshte, deklarata për mediat e Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi:

DEKLARATË PËR MEDIAT e Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi,

Per takimin me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca

Tiranë, 7 qershor 2021

Përshëndetje të gjithëve,

Sapo përfunduam një takim vëllazëror me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, z. Glauk Konjufca.

Vlerësuam bashkëpunimin e shkëlqyer midis dy vendeve, veçanërisht midis Kuvendit te Shqiperise dhe Kuvendit te Kosoves.

Bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Kosovës  është strategjik, stabilizues dhe orientues për perspektivën euroatlantike për rajonin.

Vleresuam arritjet ne bashkëpunimin ekonomik, tregetar, arsimor, kulturor dhe u ndalëm më gjerësisht në bashkëpunimin politik e diplomatik dhe jemi të një mendjeje se duhet të nisim një ofensivë të re diplomatike për të rivitalizuar procesin e njohjeve ndërkombëtare të Kosovës, në bashkëpunim me partnerët tanë kryesorë ndërkombëtarë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian.

Shqipëria vlereson viziten e fundit te z. Palmer dhe z. Lajçak ne Prishtine dhe Beograd dhe kontributin e tyre per  rinisjen e dialogut Kosovë-Serbi, dakordimin për takimin e parë parashikuar të mbahet në qershor midis Kryeministrit Kurti dhe Presidentit Vuçiç, në koordinim me partnerët strategjikë të Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.

Rezultati përfundimtar duhet të jetë një Marrëveshje e detyrueshme ligjore, që mundëson njohjen e ndërsjellët mes dy vendeve, anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe BE, si dhe trajtim të drejtë të minoriteteve, konform Kushtetutës së Kosovës.

Është inkurajuese mbështetja e plote nga administrata e re amerikane dhe Presidenti Baiden për “arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, e fokusuar në njohjen e ndërsjelltë”. Gjithashtu edhe përfshirja e angazhimi i SHBA-ve për arritjen e një marrëveshje të drejtë, të qëndrueshme dhe që hap perspektivën evropiane për Kosovën dhe për Serbinë dhe mbështet lehtësimin e procesit nga BE.

Për ne është premtues dhe pozitiv fakti që SHBA dhe BE nuk kanë asnjë dallim qëndrimesh sa i përket dialogut Kosovë – Serbisë. Këtë e dëshmoi edhe vizita e përbashkët Palmer – Lajçak në Kosovë më 31 maj 2021.

Ne mendojme se eshte e rendesishme qe Kosova te ruaj avantazhin ndaj Serbise ne negociatat me ShBA dhe BE. Kosova i ka te gjitha arsyet e mundesite te jete partner me i besueshem se Serbia ne raport me partneret strategjike, ShBA dhe BE.

Te gjithe ne duhet te kuptojme se me ShBA dhe BE, gjithshka eshte e mundur per Kosoven.  Pa ShBA dhe BE, gjithshka eshte e rrezikuar per Kosoven.

Është shumë i rëndësishëm arritja e një konsensusi të brendshëm për sa i takon qëndrimit ndaj Dialogut mes forcave kryesore politike dhe liderëve të saj dhe bëjmë thirrje për maturi, qetësi, unitet e bashkim dhe nevoja për konsultime për të patur një qëndrim shumë më të unifikuar rreth dialogut qe procesi të jetë gjithëpërfshirës, në funksion të forcimit të pozitave negociuese të Kosovës në Bruksel.

Ne mendojmë se vizioni i Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian është e vetmja perspektivë realiste dhe e dobishme për Kosovën, Serbinë dhe Rajonin.

Të gjitha  rekomandimet e tjera, përfshirë të ashtuquajturat “non pejpërs”, janë provokime që kundërshtojnë angazhimin e BE-së dhe aksionin diplomatik të administratës amerikane për Ballkanin dhe të pengojnë dialogun dhe normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës.

Ne vlerësojmë reagimin e menjëhershëm të Komisionit të BE, ShBA.,NATO-s, Gjermanisë, Francës, Sllovenisë dhe shumë shteteve të rajonit, të cilët menjëherë refuzuan non-pejpërs provokues, duke i dënuar ato si përpjekje të reja për destabilizimin e Ballkanit Perëndimor përmes ndarjes së shteteve dhe kufijve.

Shqipëria vlerëson qëndrimin dinjitoz të drejtuesve të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe të UÇK-së dhe gatishmërinë e plotë te tyre për t’i dalë përballë drejtësisë dhe zbardhur të vërtetën e Luftës se madhe për shpëtimin e popullit te saj nga krimet monstruoze dhe gjenocidi i Serbisë.

Vlerësojmë gjithashtu qëndrimin e Qeverisë së Kosovës, Kuvendit, forcave kryesore politike dhe liderëve të saj për maturi, qetësi, unitet e bashkim dhe nevojës për konsultime për të pasur një qëndrim shumë më të unifikuar rreth dialogut.

Është Serbia ajo që ka kryer gjenocid, krime kundër njerëzimit, krime lufte, ka fshehur kriminelë në kërkim për dekada dhe nuk ka bashkëpunuar me Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë dhe sot përpiqet tí glorifikojë kriminelët që ka mbrojtur e fshehur.

Koha punon për Kosovën sepse Kosova është në anën e duhur dhe të drejtë të historisë.

Dhe ne nuk duhet të rreshtim së punuari për të.

Ju faleminderit.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb