Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila, ka folur rreth takimit të fundit në mes të kryeministrit të vendit Albin Kurti, presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç dhe përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, të hënën në Bruksel.

Ajo tha se Borrell ka dalë tërësisht në anën e Serbisë, duke përdorur, sipas saj, gjuhë denigruese ndaj Kosovës.

“Borrell në mënyrën se si është prezantuar ka dalë tërësisht në anën e Serbisë, duke e lënën Kosovë, apo duke e përdorur një gjuhë, që është e para denigruese dhe e dyta tepër shumë patronizuese, edhe pse e di që dikush mund të thotë kush është Kosova, Kosova ka nevojë për Bashkimin Evropian. Po, është e vërtetë, Kosova ka nevojë për procesin e integrimit, ka nevojë për ndihmë, por Kosova nuk ka nevojë për mënyrën dhe trajtimin nënçmues dhe përçmues të përfaqësuesit të lartë të BE-së me politikën që e përfaqëson”, ka thënë Kusari në Klankosova.

Sipas saj, para se të ndodhte takimi, Borrelli ka ndarë me palët një deklaratë, në të cilën kishte një afat për marrëveshjen finale, por, siç tha ajo me kërkesë të Vuçiqit ai e ka tërhequr atë deklaratë.

“Borrelli, para se të ndodhte takimi, ka ndarë me palët një deklaratë, në të cilën ka një afat për marrëveshjen finale. Fakt është që zotëri Borrell gjatë takimit me kërkesë të Vuçiçit e tërhequr atë deklaratë. E ka tërhequr atë deklaratë për të cilën palët do të duhej të dakordoheshin”, ka shtuar ajo.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb