Deputetja e Partisë Demokratike Dhurata Çupi, në një intervistë në rubrikën Opinion në News24, duke folur për dialogun ndërmjet PS-së dhe PD-së për të kthyer jetën normale parlamentare deklaroi se opozita e vendit nuk kërkon favore nga maxhoranca. Çupi theksoi se ndërkombëtarët i dhanë të drejtë opozitës për Komisionet Hetimore.

“Ka pasur bisedime me qëllim që Kuvendi t’i kthehet normalitetit. Opozitës nuk i janë respektuar të drejtat e saj. Opozita pajtohet me atë që i jep Kushtetuta dhe jo me atë që i jep maxhoranca. Ne nuk kërkojmë favore nga maxhoranca. Ndërkombëtarët i kanë dhënë të drejtë opozitës për Komisionet Hetimore. Ne kemi kërkuar së paku 2 Komisione Hetimore, por kemi kërkuar edhe përfundimin e Reformës Zgjedhore. Në lidhje me deklaratat e z Salianji, nuk më takon ta komentoj, pasi çdo individ ka mendimin e tij.

Unë nuk e lidh aksionin e grupit me masën e sigurisë së Berishës dhe Jamarbër Malltezit. Por për këtë çështje, mund të themi se dosja Partizani ka shkelje të hapura të procedurave. Pavarësisht se çfarë thonë palët politike, ne si opozitë po kërkojmë atë që na takon, ngritjen e Komisioneve Hetimore. Shqiptarët duan reforma që iu shërbejnë atyre dhe ajo që na duhet është që vendi ynë të ketë zgjedhje të lira”, deklaroi Çupi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb