Paul Gascoigne është rikthyer në qendër të vëmendjes pas deklaratës së Southgate se Gazza ishte i vetmi futbollist anglez i klasit botëror të brezave të fundit. I intervistuar nga The Sun, Gazza ka thënë fjalën e tij për lojtarët e sotëm dhe sigurisht ka treguar disa anekdota të rëndësishme.

A kanë shanse talentet e Southgate të bëhen futbollistë të mirë? Po, sipas Gascoigne, por jo pa disa ndryshime. “Të gjithë këta të rinj mund të bëhen lojtarë të klasit botëror. Por varet prej tyre, ata duhet të luajnë me buzëqeshje, pa frikë. Sepse çfarë kuptimi ka të stërvitesh pesë ditë radhazi dhe atëherë kur vjen ndeshja nuk e do topin nga frika e përgjegjësisë?”.

Por ndoshta të rinjtë që luajnë futboll mendojnë vetëm për paratë… E mundur. Por jo Gazza. “Kam luajtur për fanellën që kam veshur. Kur isha tetëmbëdhjetë vjeç fitoja njëzet e pesë paund në javë. Tani shoh fëmijë të së njëjtës moshë që fitojnë pesëdhjetë mijë. Dhe nëse e fiton atë shumë në tetëmbëdhjetë vjeç, çfarë rëndësie ka nëse luan mirë apo luan keq?”.

Bamirësia – “Sigurisht, edhe në kohën time kishte shumë para, por në dhjetë vjet dhashë mbi një milion paund për bamirësi dhe nuk i thashë askujt. Shkova në katër të mëngjesit duke u dhënë dhjetë mijë paund familjeve për të çuar fëmijët e tyre në Disney Ëorld.”

Dhe nuk është aspak e vështirë të imagjinosh skenën, me fëmijët të lumtur si Gazza kur e kishte topin në këmbë. “Kur unë e kisha topin, nuk kishte probleme. Për ato nëntëdhjetë minuta askush nuk mund të më prekte. Ajo ishte koha ime, më bënte të ndihesha i lirë. Dhe kur isha në fushë, doja vetëm të ma pasonin topin. Sepse kur luaja futboll nuk kisha frikë nga asgjë”.

Kjo përmbledh në mënyrë të përkryer shëmbëlltyrën e futbollistit dhe njeriut Gascoigne. Kur fati i keq ia mori atë që ishte më e dashur për të, anglezi nuk mund t’i duronte demonët e tij. Por, siç e dëshmon edhe vetë, nuk është kurrë vonë për të filluar nga e para.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb