Dje në mëngjes në Tiranën mediatike mbërritën pamjet e vizitës së Ramës në Emiratet e Bashkuara Arabe. Kjo vizitë u zhvillua fill pas takimeve në Madrid dhe Romë me kryeministrat e Spanjës dhe Italisë. Pa harruar këtu dhe udhëtimin virtual nën shoqërinë e Vuçiç në Gjermani në redaksinë e Frankfurter Allgemeine Zeitung, rezulton se vetëm këtë vit kryeministri ynë ka udhëtuar edhe drejt Ëashingtonit, Tel-Avivit e në disa konferenca e forume të tjera ndërkombëtare.

Por po të mbledhim miljet e përshkuara në 13 vite qeverisje, i bie që Rama do kish qenë në Hënë të paktën 2 herë, ç’ka do përbënte një sfidë më vete dhe për misionin hapësinor Artemis, që zbarkoi në tokë veçse 2 javë më parë! Shumë kilometra, por për çfarë, shtrohet pyetja?! Për të mbledhur milje për udhëtime falas nga kompanitë ajrore?! Vështirë se po!

Ja pra që njëherë takohet me Trump në “Bordin e Paqes për Gaz”, një herë tjetër me Melonin pas përplasjes publike me Trump për polemikat mbi Papa Leon-in, të nesërmen me Sanchez-in e Spanjës pasi ky i fundit nuk lejoi përdorimin e bazave ajrore amerikane për sulme ndaj Iranit, e në fund takon Princin e Kurorës së Emirateve për të dënuar regjimin e Ajatollahëve.

Gjithë kjo zallamahi në 1 muaj, ndërkohë që i kërkon BE të përshpejtojë integrimin e Shqipërisë dhe Serbisë krah për krah me Vuçiç, i cili drejton një shtet satelit të Rusisë dhe Kinës në Ballkanin Perëndimor. Mirë kjo, por nga ana tjetër lidh dhe marrëveshje ushtarake me Kroacinë dhe Kosovën për rritjen e bashkëpunimit rajonal, ç’ka presidenti serb e konsideron si rrezik për sigurinë kombëtare të vendit të tij. Të paktën Vuçiç-it i shkojnë ndonjëherë ndërmend e interesat e vendit të tij! Ja që tërë këto lëvizje kaotike dhe të pakuptimta me sy të lirë do pataksnin dhe Shvejkun e shprehjes legjendare “ku ta di unë, se ç’bëj unë”! Por mbase kjo kurbë kaq e ç’rregullt takimesh e vizitash nuk është dhe kaq e thjeshtë ose e ndërlikuar apo e pakuptimtë siç duket.

Sepse ky aktivitet i ngjeshur diplomatik vjen në një kohë të turbullt për botën. Kohën e paqartësisë, mes gjasave të vijimit të institucioneve dhe ligjit ndërkombëtar nga njëra anë dhe rikonfigurimit të forcave rivale në anën tjetër, ku shkëlqen më së pari përplasja e madhe SHBA-Kinë dhe fërkimet në total mes vetë Perëndimit dhe paqëndrueshmërisë së BRICS.

Por kjo turbulencë ndërkombëtare mesa duket e ka shtyrë Ramën që të ndjekë lëvizjet e ditës pa kuptuar pikturën e madhe. Pra thjesht po vizaton siç ia kërkon zakoni! Një pikturë e madhe që mesa duket po lëviz drejt një bote vendesh të linjëzuara me SHBA në njërën anë ose me Kinën në anën tjetër, duke i shtyrë vendet më të vogla si ne që të bëjnë zgjedhje të qarta, qoftë dhe atë të neutralitetit. E natyrisht kjo fushë shahu ka vend dhe për aktorët e tjerë që po rishikojnë interesat e tyre se ku u shkon për shtat të zgjedhin. Por rasti i kryeministrit tonë nuk duket si një çështje gjeopolitike dhe pozicionim politik për interesin e Shqipërisë. Më shumë i ngjan një paqartësie personale që lidhet me mbijetesën e tij politike. Si një politikan tipik shqiptar, Edi Rama ka hallin se cila rrugë e mban më gjatë në pushtet atë dhe jo mbrojtjen e interesit kombëtar.

Ndryshe nuk shpjegohet “përkushtimi” i tij i jashtëzakonshëm ndaj çështjeve të Lindjes së Mesme. Këto llogari të vogla pushteti bënte çdo ditë edhe Ali Pashë Tepelena, i cili si Pasha Osman i Vilajetit të Janinës, ndërkohë shfrytëzonte me shkathtësi konjukturën e dobët ndërkombëtare të kohës për të zgjatur pushtetin e tij përmes marrëdhënieve me Rusinë dhe Francën, duke korruptuar Divanin e Sulltanit sa herë e tepronte. E në fund Hurshid Pasha i preu kokën me urdhër të Sulltan Mahmudit të 2-të pas një ekspedite ndëshkuese.

Të paktën kështu shkruan Pukëvili! Por mesa duket politikanët shqiptarë as nuk zënë mend e as nuk kanë si zënë, kur është e pamundur të qëndrosh në pushtet më shumë se ç’duhet, në një vend të vogël si Shqipëria, ku shpeshherë qëllon që të luhen dhe lojëra të mëdha ndërkombëtare. Por rëndësia e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare është në një shkallë të caktuar. Jo sepse jemi një vend i madh për nga pesha specifike, por për shkak të pozicionit gjeografik jo të parëndësishëm. E në këtë logjikë precedentësh, Mbreti Zog mbase është shembulli i dytë më kuptimplotë i këtij paradoksi historik shqiptar të zgjedhjes së karrierës të parit të vendit në vend të qëllimeve politike të shtetit që përfaqëson jashtë kufijve të vet.

Por për t’ju kthyer diplomacisë së Ramës, bie në sy dhe diçka tjetër. Diplomacia e tij është e papërcaktueshme në aspektin formal, pasi nuk bën pjesë në tipet e diplomacisë konvencionale apo të njohura gjerësisht si ajo publike, ekonomike, bilaterale, multilaterale, kulturore, preventive, mjedisore etj. Këtë e themi pasi mungojnë qëllimet e sipërcituara për të përcaktuar dhe tipologjinë e diplomacisë së kreut të qeverisë shqiptare. Por si “krijues i madh” që është, fjala vjen zbuloi dhe një lloj të ri diplomacie si ajo “familjare”, kur medemek nuk pati kohë të takonte Presidentin Trump në Davos për të takuar vajzën e tij Ivanka në Vlorë! Kjo nuk ishte parë e dëgjuar ndonjëherë! Në diplomaci asnjëherë nuk rëndon më shumë bishti se sqepari!

Ndaj meqenëse nuk jemi përballë një forme diplomacie që i shërben interesave të vendit për sa kohë nuk dimë qëllimet dhe rezultatet që për më tepër shpërfaqen dhe në formë sesi, na mbetet vetëm një mundësi. Zhanri më i ri i diplomacisë së spektaklit: diplomacia turistike. Pra një kryeministër që i bie botës vërdallë pa një axhendë, përfitim apo rezultat për interesin e shtetit që drejton, por që udhëton me shpresën se këdo që takon e sheh si një mundësi që të shtyjë dhe ca kohë në pushtet. Ndërkohë i ka mbetur që të vizitojë ndonjëherë dhe Tiranën, apo të marrë pjesë në seancat plenare të Kuvendit të Shqipërisë, aty ku deputetët e presin të japë ndonjë përgjigje për rrumpallën e qeverisjes së vet! Megjithatë për sa kohë Berisha e ka marrë me terezi revolucionin, Rama ka luksin t’i bjerë botës vërdallë me paratë e shqiptarëve!

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb