Nga Evarist Beqiri

Bota po ndryshon me një shpejtësi që zhvlerëson çdo hartë të vjetër strategjike. Dinamizmi i dhunshëm është rregulli i ri. Rendi i ndërtuar mbi “Pax Americana” nuk ka rënë, por po kalon një rikalibrim të thellë, duke mos mjaftuar më i vetëm për të garantuar stabilitetin global. Nuk ka ende rregulla të reja të konsoliduara që të menaxhojnë këtë tranzicion. Ne po jetojmë në hendekun e rrezikshëm mes dy epokave.

​Ai që kontrollon nyjet prej të cilave varen të tjerët, nuk ka gjithmonë nevojë të shkrepë armën. Hormuzi tregoi se sa shpejt një pikë e vetme në hartë mund të trondisë ekonominë globale. Ukraina provoi se çfarë ndodh kur fuqia ushtarake përdoret për të ndryshuar kufijtë, ndërsa Gaza ka treguar sa e brishtë bëhet mbrojtja e të drejtës ndërkombëtare përballë asimetrisë së thellë të fuqisë.

​Rreziku i botës që po lind është më i madh se një konflikt i veçuar. Është mundësia që forca të zëvendësojë të drejtën dhe që brutaliteti të kthehet në instrument të ligjshëm kontrolli. Kjo është fytyra e re e pushtetit botëror. Jo thjesht zgjerimi territorial, por kontrolli i pikave të varësisë. Rusia synon rikthimin e sferës së saj të influencës përmes shantazhit të burimeve. Kina zgjeron peshën përmes teknologjisë dhe monopoleve tregtare. Amerika mbështetet te dominimi i saj financiar dhe ushtarak. Ndërkohë, fuqitë e mesme si Turqia nuk presin më që rendi i ri t’u caktojë vendin, por po ndërtojnë hapësirat e tyre autonome të veprimit. Në këtë realitet të ashpër, Evropa dhe rajoni ynë nuk mund të mbeten thjesht fusha ku këto fuqi përplasen.

​Për shtetet e vogla, iluzioni i një “pavarësie absolute” ka perënduar. Siç e përcakton Presidenti finlandez Aleksandër Stub në doktrinën e tij të “realizmit të bazuar në vlera”, fuqia e pastër imponuese është luks i të mëdhenjve. Për të vegjlit, fuqia buron nga aftësia për bashkëpunim. Sovraniteti real përkthehet në ndërvarësi strategjike. Një shtet mbetet sovran jo kur izolohet, por kur e integron veten aq thellë në arkitekturën e aleatëve, saqë cenimi i tij të ketë kosto të papranueshme.

​Vlera e një shteti nuk përcaktohet më vetëm nga anëtarësimi formal në një aleancë, por nga dobia reale që ai prodhon brenda saj. Nuk është domosdoshmëri që të jesh një superfuqi për të pasur peshë strategjike. Ndonjëherë mjafton të kesh një pozicion unik që të tjerët e konsiderojnë të pazëvendësueshëm. Shqipëria e ka këtë provë përpara. Slogani “Jemi në NATO, pra jemi të mbrojtur” i përket së shkuarës. Sot, kjo nuk mjafton.

​NATO-ja përballet njëkohësisht me krahun lindor, Detin e Zi, Mesdheun dhe luftën komplekse hibride. Një aleancë e shtrirë në kaq shumë fronte kërkon prej anëtarëve të vegjël që të tregojnë se çfarë sjellin në tryezë, jo vetëm çfarë marrin. Shqipëria nuk ka nevojë të shpik vizione gjeopolitike jashtë kapaciteteve të saj. Ajo duhet të ofrojë stabilitet të pakushtëzuar rajonal, imunitet të lartë ndaj ndërhyrjeve armiqësore dhe zhvillim të infrastrukturës kritike (si bazat në Kuçovë apo Porto Romano).

​Por pragmatizmi infrastrukturor duhet mbështetur mbi boshtin e vlerave. Këtu Shqipëria ka kapitalin e saj. Në Luftën e Dytë Botërore, kodi i “Besës” e ktheu një komb të vogël në një mburojë shpëtimi për hebrenjtë dhe ushtarët italianë. Sot, në kushtet e një rendi të ri botëror, kjo vlerë identitare duhet të përkthehet në besueshmëri strategjike të hekurt brenda aleancës.

Në botën e re, të jesh thjesht aleat është pika e nisjes.

Për të mbijetuar dhe ruajtur sovranitetin, duhet të jesh strategjikisht i dobishëm dhe moralisht i palëkundur.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb