“Ne të gjithë e dimë se FETO ka zgjatimet e saj në çdo kontinent dhe shumë vende të botës. Shqipëria është një nga këto vende. Elementët e FETO-s erdhën në Shqipëri pas rënies së komunizmit dhe filluan veprimtarinë duke hapur shkollat e tyre. Rezulton se kanë kryer shpëlarjen e trurit të nxënësve duke përzgjedhur mes tyre veçanërisht konviktorët”.

Deklarata vjen nga ambasadori i Republikës së Turqisë Hidayet Bayraktar, duke folur për emisionin Diplomaticus të gazetarit Erion Kaçorri ne News 24.

“Në Shqipëri Feto ka gjithsej 12 shkolla, nga të cilët dy në nivel universiteti, si dhe një qendër për kurset e mësimit të gjuhëve. Kanë një shtypshkronjë që shtyp librat në gjuhën shqipe të Fethullah Gylenit. Ata janë të organizuar edhe në shoqërinë civile. Një shoqatë biznesmenësh vepron plotësisht në kontrollin e FETO-s. Jemi në dijeni se librat e shtypshkronjës në fjalë u lexohen pas dyerve të mbyllura nxënësve që i kanë vënë në shënjestër nëpër konvikte. Gjithashtu shfaqen edhe videot e Gylenit. Pra ka një veprimtari të qartë të tyre për shpëlarjen e trurit. Nxënësit në konvikte mbahen nën presion. Çdo lëvizje e tyre është e kontrolluar dhe e regjistruar”.

Ambasadori i Turqisë paralajmëron se zgjatimet e Fetos në Shqipëri rrezikojnë t’i venë dinamitin strukturës familjare në Shqipëri.

“Organizata FETO ka si parim fshehtësinë dhe dinakërinë. Shikojmë se për afër një çerek shekulli ata kanë zgjeruar veprimtarinë e tyre në Shqipëri dhe janë shpërndarë në krahina të ndryshme të vendit. Krahas arsimit, janë shtrirë edhe në fusha të tjera si dhoma e tregtisë, shtypshkronja, media dhe sektori privat. Njëlloj si në Turqi, FETO edhe në Shqipëri fatkeqësisht është shumë e organizuar. Kjo strukturë, njëlloj si në Turqi, përbën një kërcënim dhe rrezik edhe për shtetin shqiptar. Në rast se u kundërvihesh interesave të tyre, mund të presësh çdo të keqe, është një rrjet i ngritur mbi dinakërinë, gënjeshtrën dhe tradhtinë” deklaron ambasadori Turk i cili thekson se FETO e shikon Shqipërinë si një “safe-haven”, domethënë një strehim të sigurt.

“Ky perceptim nuk përputhet me marrëdhëniet tona dypalëshe të veçanta. Nuk duhet të lindë asnjë perceptim kërcënues me burim FETO-n nga territori i Shqipërisë drejt Turqisë. Në këtë çështje ne besojmë se shteti shqiptar do të tregojë ndjeshmërinë e duhur dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin do të zhduken zgjatimet e FETO-s, që veprojnë në Shqipëri dhe që strehohen në këtë vend të bukur. Për shumë vite i cilësuam si ‘struktura ilegale, me pamje legale’. Ka një funksionon krejt tjetër pas pamjeve të tyre të pafajshme dhe ligjore. Po të ngresh gurin, do të shikosh se poshtë tij ka një akrep tinëzar, të gatshëm për të pickuar. Këtë dëshiroj veçanërisht ta nënvizoj dhe kam bindjen se shteti shqiptar do të hedhë hapat e nevojshëm kundër zgjatimeve të FETO-s dhe do të realizojë bashkëpunimin e duhur me Republikën e Turqisë, të cilën e shpallur ‘partner strategjik'”, deklaron ambasadori i Republikës se Turqisë në Shqipëri.

Duke u ndalur te marrëdhëniet mes dy vendeve tona pas grushtit te shtetit, ambasadori Bayraktar deklaron se shteti dhe qeveria shqiptare kanë mbajtur një qëndrim të qartë lidhur me tentativën për grusht shteti të 15 korrikut.

“Shqipëria nuk është përkrah organizatës terroriste FETO, e drejtuar nga dikush që nuk ka mbaruar as shkollën fillore. Shqipëria ka qenë pranë shtetit turk, partnerit të saj strategjik, dhe ka shprehur përkrahjen e nevojshme morale. Me këtë rast, dëshiroj të falënderoj edhe një herë Presidentin Bujar Nishani, Kryeministrin Edi Rama, si dhe të gjithë funksionarët e tjerë shqiptarë. Nuk ka asnjë arsye që tentativa për grusht shteti të kthejë prapa marrëdhëniet tona. Përkundrazi, ka lindur një rast për të qenë në një bashkëpunim më të ngushtë me miqtë tanë. Në këtë kuadër, ne jemi të vendosur të zhvillojmë më tej bashkëpunimin tonë në çdo fushë me Shqipërinë, duke pasur parasysh parimin e interesit reciprok dhe me ndjenjën ekzistuese të besimit”.

Ambasadori turk ndalet edhe tek informacionet e publikuara në mediat shqiptare se koncesioni i rrugës Durrës-Kukës u anulua pas letrës së Erdoganit.

“Natyrisht që në një prokurim të organizuar nga shteti shqiptar është kryer prokurimi sipas ligjeve dhe procedurave të Shqipërisë. Krahas firmës me origjinë turke, kanë marrë pjesë edhe shumë firma dhe konsorciume të tjera. Kemi mësuar se pas një ankese të disa firmave të tjera pjesëmarrëse, është marrë një vendim administrativ për përjashtimin nga prokurimi të firmës turke në fjalë. Procese të tillë funksionojnë plotësisht sipas ligjeve dhe mekanizmave shqiptare. Ambasada nuk është palë ose person i interesuar në një prokurim. Me fjalë të tjera, nuk jemi pjesë e çështjes. Mendoj se do të jetë gabim edhe nëse bëhet ndonjë koment i tepër për këtë çështje”, deklaron ambasadori Hidayet Bayraktar per News24.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb