Dekani i Shkencave Mjekësore në Universitetin Luarasi, Petrit Bara, ka folur në programin e drekës në News24 lidhur me zhvillimin e universitetit, programet akademike dhe interesin në rritje të studentëve.
Sipas Barës, universiteti po ofron gjithnjë e më shumë mundësi ndërkombëtare për studentët, ndërsa një nga bashkëpunimet më të rëndësishme është ai me London School of Economics, që u jep studentëve mundësinë të ndjekin programe dhe të përfitojnë diplomë angleze duke studiuar në Shqipëri.
“Aktualisht kemi më shumë kërkesa se vitin e kaluar dhe gjatë vizitave të fundit ka pasur interes të madh për programet e LSE-së”, u shpreh Bara.
Ai theksoi se degë si juridiku, ekonomia dhe shkencat mjekësore vijojnë të jenë ndër më të preferuarat nga studentët. Fakulteti i Shkencave Mjekësore, sipas tij, ndodhet në prag të rankimit dhe akreditimit, ndërsa universiteti synon të arrijë akreditimin 6-vjeçar.
“Tre janë kolonat kryesore të universitetit: ambienti, studentët dhe stafi pedagogjik. Ne kemi punuar për rifreskimin e stafit, pa larguar profesorët titullarë”, deklaroi ai.
Petrit Bara nënvizoi se Luarasi është i vetmi universitet në Shqipëri me bashkëpunim me London School of Economics, ndërsa po punohet edhe për shkëmbimin e studentëve dhe stafit pedagogjik.
Ai bëri me dije se universiteti ka marrëveshje bashkëpunimi edhe me universitete në Itali, Gjermani dhe vende të rajonit, duke përfshirë praktika studentore, shkëmbime eksperiencash, leksione nga pedagogë të huaj dhe furnizime për laboratorët.
“Studentët fitojnë eksperiencë jashtë dhe më pas kthehen në vendin e tyre”, përfundoi Bara.
