Carlos Queiroz është shkarkuar nga posti i trajnerit të kombëtares së Katarit. Tekniku i njohur mori në dorë frenat e skuadrës në shkurt, kur nënshkroi një kontratë katërvjeçare, por duket se divorci ishte i pashmangshëm.

Federata e Futbollit të Katarit e kontaktoi javën e kaluar “timonierin” portugez, duke i komunikuar atij ndërprerjen përpara kohe të kontratës. 70-vjeçari fluturoi për në Doha të hënën, ku vendimi u konfirmua në një takim ballë për ballë të palëve.

Ai qëndroi në krye të skuadrës për 11 ndeshje, duke fituar katër, duke barazuar tre dhe duke humbur katër, pasi zëvendësoi Felix Sanchez si trajner. Kjo do të thotë se Katari do të duhet të emërojë një trajner të ri për Kupën e Azisë së vonuar 2023, që do të mbahet nga 12 janari deri më 10 shkurt 2024.

“Shoqata e Futbollit të Katarit ka njoftuar se mandati i trajnerit portugez Carlos Queiroz si trajner i kombëtares së Katarit ka përfunduar në mënyrë miqësore me marrëveshje të ndërsjellë midis dy palëve”, tha QFA në një deklaratë të martën.

(J.S/BalkanWeb)

 

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: