Miliona njerëz në të gjithë botën vuajnë nga sëmundjet e shëndetit mendor, kjo e ilustruar në një raport të fundit të publikuar nga Organizata Botërore e Shëndetit. Statistikat janë në rritje edhe në vendin tonë, sidomos pas pandemisë së COVID-19 e tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit 2019.

Drejtoresha e Urdhrit të Psikologëve, Valbona Treska, tha se më së shumti probleme të shëndetit mendor paraqesin fëmijët, kryesisht të moshave 10-12 vjeç. Sipas saj, ka një ndërgjegjësim të shtuar të të rinjve për të frekuentuar psikologët në rast se preken nga sëmundjet e shëndetit mendor, ndërsa moshat madhore, ende nuk e kanë thyer këtë tabu. Ajo nënvizoi se ka një përdorim të tepruar të njerëzve të suplementit xanax, që nëse përdoret pa rekomandim, ka një efekt negativ në shëndet.

Në mesin e personave që morën pjesë në këtë tubim ndërgjegjësues, ishin edhe nga ata që kishin vuajtur nga ankthi. Ata treguan se konsulta me psikologun ishte zgjidhja e problematikës së tyre.

Një nxënëse e gjimnazit dhe një i moshuar, treguan rastet që ata kanë hasur në përditshmëri ku janë përballur me persona që kanë pasur probleme me shëndetin mendor. Ata treguan se si kanë vepruar në këto situata.
Ceremonia u kurorëzua me një tubim sensibilizues në drejtim të sheshit “Nënë Tereza”, ku u hodhën në qiell mbi 300 tullumbace jeshile, simbol i ditës botërore të shëndetit mendor.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb