Qytetarët e Divjakës kanë vijuar edhe mbrëmjen e sotme protestën e tyre kundër reformës administrative-territoriale, duke shënuar kështu ditën e 14-të të qëndresës popullore në rrugët e qytetit.
Me thirrjen e përsëritur “Divjakë bashki!”, protestuesit po kundërshtojnë me forcë përfshirjen e Bashkisë Divjakë nën administrimin e Bashkisë Lushnjë, sipas ndryshimeve të propozuara nga PS.
Gjatë tubimit, qytetarët i kanë kërkuar publikisht dorëheqjen kryetarit të Bashkisë Divjakë, Josif Gorrea, duke nëvizuar se ky akt do të shërbente për të ruajtur dinjitetin e tij dhe të vetë qytetit.
E njëjta kërkesë u është drejtuar edhe anëtarëve të Këshillit Bashkiak, të cilët pritet të mblidhen ditën e premte, në orën 10:00.
Gjatë marshimit në rrugët kryesore të Divjakës, protestuesit u kanë bërë thirrje të gjithë banorëve të tjerë që t’i bashkohen kauzës për mbrojtjen e autonomisë vendore.
Qytetarët janë shprehur të prerë se do ta vijojnë rezistencën e tyre pa u ndalur, deri në plotësimin e kërkesës kryesore: ruajtjen e statusit të Bashkisë Divjakë.
