Nga Besnik Bakiu

Historiografia shqiptare edhe sot e kësaj dite vazhdon të jetë në dilemë për rëndësinë dhe pasojat e vendimit të 29 korrikut 1913, ndaj dhe teksa po përgatisja këtë shkrim, m’u kujtua personaliteti i papërsëritshëm Petro Markos, kur shkruante: “… për të dëshmuar ç’kishim parë e ç’kishim dëgjuar, ç’kishim qarë e ç’kishim kënduar, ç’ishte thënë e ç’na kishin zënë veshët”.

29 korriku 1913 është dita kur me vendimin e Konferencës së Ambasadorëve në Londër u bë njohja “de jure” e shtetit shqiptar, si “… principatë autonome, sovrane… nën garancinë e të gjashta Fuqive”. Ky vendim përbën dokumentin themelor ndërkombëtar të krijimit të shtetit shqiptar dhe njohjen e pavarësisë së mbikëqyrur të Shqipërisë nga gjashtë Fuqitë e Mëdha të kohës, si dhe hapjen e rrugës drejt njohjes së të drejtave të kombit shqiptar.

Me gjithë kufizimet e mëdha të këtij vendimi (legalizoi faktin që shqiptarët të ishin i vetmi popull në rruzullin tokësor që kufizohej me vetveten), ai pati një rëndësi të veçantë për fatet e Shqipërisë, pasi edhe pse territori shqiptar u copëtua rëndë e në shifra të frikshme, e përsëri arriti të mbijetojë.

Para kësaj konference popullsia shqiptare jetonte e ndarë në katër vilajete, dy prej të cilave veç e veç ishin më të mëdha se Shqipëria e sotme, kurse dy të tjerat ishin gati sa ajo e sotmja. Respektivisht vilajeti i Kosovës kishte një sipërfaqe prej 32.000 km2, ai i Shkodrës mbulonte një hapësirë prej 10.987 km2, i Manastirit ishte plot 28.500 km2, kurse i Janinës shtrihej me 17.900 km2. Sipas llogaritjeve të burimeve osmane, popullsia e Shqipërisë në prag të Luftës Ballkanike numëronte afërsisht 3 milionë banorë shqiptarë. Me anë të këtij vendimi u ligjërua copëtimi i Shqipërisë, duke i dhënë Serbisë 34.000 km2 me 1.090.000 banorë, Greqisë 10.794 km2 me 425.000 banorë dhe Malit të Zi 7.000 km2 me 260.000 banorë.

Tragjedia shqiptare dhe padrejtësitë e Evropës ndaj nesh u luajtën në disa akte. Akti i parë i kësaj tragjedie u luajt në vitin 1878, në Shën Stefan afër Stambollit, ku filloi “të zbatohej koncepti politik i zgjidhjes së çështjes shqiptare përmes copëtimit” dhe “spastrimi etnik i shqiptarëve prej trojeve që pushtojnë fqinjët ballkanikë”. Akti i dytë u luajt në Kongresin e Berlinit, në të njëjtin vit, ku Shqipëria u trajtua si term gjeografik, ndërsa viset e banuara me shqiptarë u ndanë ndërmjet shteteve fqinje. Akti i tretë do të luhej 34 vjet më vonë, në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, që përfundoi me vendimin e 29 korrikut. Për herë të katërt ky rrezik do të rikthehej sërish me Traktatin e Fshehtë të Londrës në prill 1915, ku vazhdoj copëtimi i mëtejshëm i Shqipërisë, madje u projektua zhdukja e saj nga harta politike. Akti final u luajt pas përfundimit të Luftës së I Botërore në Konferencën e Paqes në Paris dhe përfundoi me nënshkrimin e protokolleve përfundimtare të caktimit të kufirit me Greqinë (27 janar 1925) dhe Mbretërinë Serbo-Kroate-Sllovene (26 korrik 1926).

Marrja e vendimit të 29 korrikut nuk ishte e lehtë, pasi qëllimi kryesor i konferencës nuk ishte zgjidhja e çështjes shqiptare, por zgjidhja e kontradiktave të Fuqive të Mëdha, për të stabilizuar gjeopolitikisht Ballkanin e trazuar nga luftërat.

Kjo konferencë u zhvillua me përplasje e debate të ashpra. Palët ishin të ndara në dy blloqe antagoniste: Gjermania, Austro-Hungaria dhe Italia ishin bashkuar prej kohësh në Tripalëshin, kurse Anglia, Franca dhe Rusia kishin formuar Antantën.

Shpallja e pavarësisë nga e etërit e kombit modern shqiptar, nuk mjaftonte për të shpëtuar Shqipërinë. Vendi i ynë ishte bërë pika e kryqëzimit, jo vetëm e lakmive të Fuqive të Mëdha evropiane, por edhe të orekseve shoviniste të shteteve Ballkanike. Aq më tepër kur organizatorët e kësaj konference nuk e ftuan popullin shqiptar të dërgonte përfaqësuesit e tij në këto forume më rendësi jetike për të. Kjo ishte një padrejtësi që i bëhej popullit tonë. Megjithatë, roli dhe presioni i popullit shqiptar ndikoi qenësisht në marrjen e këtyre vendimeve nga ana e tyre.

Aq e vështirë dhe e padrejtë ka qenë kjo konferencë, sa mjafton të kujtosh atë që shkruante ministri amerikan në Greqi në atë kohë si: “një mrekulli e paaftësisë”, “një skemë absolutisht të papajtueshme”, “një lëmsh gjërash të paqëndrueshme”.

Në këtë situatë të ndërlikuar marrja e vendimit përfundimtar për statusin e Shqipërisë shtyhej nga njëra mbledhje në tjetrën, pa arritur në një vendim përfundimtar.

Që ditën e parë që u mblodh më 17 dhjetor 1912, konferenca mori në shqyrtim çështjen shqiptare, për të cilën u ra dakord nga të gjitha palët, të diskutohej në tri aspekte: “Statusi i Shqipërisë, organizimi i shtetit Shqiptar dhe caktimi i kufijve”. Në shtypin e kohës doli një komunikatë e ambasadorëve, në të cilën thuhej se qeveritë e fuqive të mëdha “kishin pranuar parimin e autonomisë shqiptare”. Ky ishte një hap prapa në krahasim me vendimin e pavarësisë së Kuvendit Vlorës, pasi e linte Shqipërinë ende në kuadrin e Perandorisë Turke.

Përdorimi i dy termave: “nën sovranitetin ose suzerenitetin e sulltanit”, nuk ka qenë i rastit, por ka pasqyruar ndryshimet substanciale në qëndrimin e tyre, për shkallën e pavarësisë së Shqipërisë. Qeveria ruse mbronte tezën se “Shqipëria duhej të ishte një provincë autonome e Perandorisë turke, me disa të drejta për një organizim të veçantë, por gjithmonë brenda kuadrit të Perandorisë, (sovraniteti i sulltanit)”. Qeveria Austro-Hungareze e kundërshtonte dhe ishte për një “Shqipëri autonome ose të pavarur e me kufij sa më të gjerë”. Shumica ranë dakord për një zgjidhje kompromisi: organizimi i një shteti shqiptar me njëfarë autonomie të brendshme, pra as provincë e perandorisë as edhe shtet krejtësisht i pavarur (suzereniteti i sulltanit).

Kjo ishte sigurisht diçka e re në krahasim me të kaluarën, por nuk ishte pavarësi. Kjo donte të thoshte se shteti shqiptar shpallej si shtet vasal ose autonom dhe njihte autoritetin suprem të sulltanit. Sipas të drejtës ndërkombëtare, një shtet i tillë nuk merr pjesë vetë në marrëdhëniet ndërkombëtare, por përfaqësohet nga shteti suzeren, atëherë kuptojmë se këtu nuk mund të bëhet fjalë për njohjen e pavarësisë së Shqipërisë.

Debatet vazhduan gjatë dhe më në fund Konferenca e Ambasadorëve ngarkoi Austro-Hungarinë dhe Italinë për hartimin e një projekti mbi organizimin e shtetit shqiptar autonom. Ky projekt u paraqit prej tyre në mbledhjen e konferencës, me 8 maj 1913. Projekti ishte në frymën e vendimit të 17 dhjetorit dhe kishte në bazën e vet: autonominë e Shqipërisë dhe vartësinë e saj nga Turqia, neutralitetin e saj, sigurimi i rendit dhe qetësisë nga një xhandarmëri e organizuar nga ndërkombëtarët, etj.

Analizën e plotë e gjeni sot në Gsh.al në linkun http://www.gsh.al/2017/07/29/dita-e-pagezimit-te-shtetit-shqiptar/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: