DURRES- Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Tokës, Ministri i mjedisit Lefter Koka apeloi për më shumë ndërgjegjësim kundrejt mjedisit. Ministri i përcolli mesazhet nga Durrësi ku iu bashkua nismës për pastrimin e bregdetit në plazhin Rinia.

“Sot është Dita Ndërkombëtare e Tokës kur njerëzit në të gjithë botën pavarësisht besimit dhe kombësisë kontribuojnë për një mjedis më të pastër më të shëndetshëm dhe sigurisht duke patur në konsideratë se një ambient i ndotur ndikon ndjeshëm tek thatësira, ashtu siç ndikon ndjeshëm tek reshjet e dendura dhe tek erozioni. Më datën 5 mars Ministria e Mjedisit mori një nismë pikërisht për të sensibilizuar mbarë qytetarët shqiptarë për të pastruar tokën”, tha ministri Koka, i cili falenderoi të gjithë ata që iu bashkuan kësaj nisme që në ditët e para të saj.

Koka apeloi bashkitë të sensibilizohen për respektimin e ligjit të menaxhimit të integruar të mbetjeve.

“Ligji ngarkon bashkitë me përgjegjësi. Unë në disa raste kam kërkuar të sensibilizoj edhe kryetarët e bashkive dhe vazhdoj të vërej se akoma shumë prej tyre nuk e kanë kuptuar që tashmë me reformën e re administrative bashkitë kanë një sipërfaqe shumë më të madhe për të administruar. Është e rëndësishme që një qytet të ketë edhe parqe kualitative ashtu si edhe zona urbane kualitative. Ndaj u bëj thirrje edhe njëherë kryetarëve të bashkive që të respektojnë ligjin. Ne kemi marrë masa administrative për disa prej tyre, por nuk është ky qëllimi ynë. Ata duhet të vetëndërgjegjësohen, të ndërgjegjësojnë edhe qytetarët dhe të bëjnë një turizëm sa më elitar në sezonin turistik”, tha ai.

Ministri i Mjedisit iu bashkua të rinjve dhe qytetarëve vullnetarë për pastrimin e zonës nga mbetjet.

Dita e Tokës këtë vit festohet në mbarë botën me moton “Ndërgjegjësimi për Mjedisin dhe Klimën”. Kjo ditë promovon rritjen e ndërgjegjësimit për problemet mjedisore.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb