Si çdo vit, edhe sot të dyja brigjet e lumit Osum u mbushën mëngjesin e sotëm me besimtarë ortodoksë, emigrantë dhe qytetarë, në pritje të hedhjes së kryqit.

Me gjithë temperaturat e ulëta, kjo festë e përvitshme ka bërë bashkë në qytetin e Beratit qindra qytetarë beratas, mes tyre edhe besimtarë myslimanë që çdo vit bëhen pjesë e kësaj feste të shenjtë, ujit të bekuar.

At Petraqi, i shoqëruar nga përfaqësues të Kishës Ortodokse dhe pushtetarë vendorë, janë nisur nga Katedralja e Shën Dhimitrit në qendër të qytetit dhe pasi kanë përshkruar në këmbë pedonalen, kanë mbërritur në Urën e Goricës. Për të pritur kryqin, në ujërat e ftohta të lumit Osum janë hedhur 8 të rinj beratas.

Kryqi u hodh nga At Petraqi dhe pasi përfundoi në ujërat e Osumit u kap për të dytin vit radhazi nga 42-vjeçari Alfred Xhimitiku, banues në lagjen Goricë.

Pas kapjes së kryqit, Xhimitiku ka uruar të gjithë besimtarët ortodoksë dhe jo vetëm për një vit sa më të mbarë. Si traditë, pas kapjes së kryqit, Xhimitiku shkon derë më derë me kryqin në dorë, në çdo familje beratase, ku merr bekimin nga familjarët.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb