Detaje të reja mësohen në lidhje me aksidentin tragjik që i mori jetën tre anëtarëve të familjes Bibaj në kryeqytet.

Gazetarja Dorjana Bezat bën me dije për “BalkanWeb” se babai Bardhok Bibaj 62-vjeç, nëna Valentina Bibaj 54 vjeçe dhe dy vajzat e tyre Florida dhe Xhuljana Bibaj kishin qenë duke festuar një ditëlindje në një lokal në Elbasan, para se të ndodhte aksidenti. Me ta ka qënë edhe i riu Arlintin Alia 32 vjeç nga Puka, i cili dyshohet të jetë i fejuari i njërës prej vajzave.

Pas festës, rrugës teksa ktheheshin në shtëpinë e tyre në Tiranë ata janë përfshirë në aksident. Për pasojë ka humbur jetën babai Bardhok Bibaj 62-vjeç, nëna Valentina Bibaj 54 vjeçe dhe një nga vajzat Florida Bibaj 22 vjeç. Në gjendje shumë të rëndë ndodhet edhe vajza tjetër Xhuljana Bibaj 26 vjeç.

Paraprakisht thuhet se Arlintin Alia, që drejtonte mjetin udhëtonte me shpejtësi tej normave të lejuara.

Burime policore thonë se edhe i riu ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në spital.

Tiranë/Informacion paraprak

Në aksin rrugor Elbasan-Tiranë, në afërsi të TEG-ut, mjeti me drejtues shtetasin A. A ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga duke u përplasur me bordurën e rrugës.
Si pasojë e përplasjes kanë ndërruar jetë pasagjerët V. B, B. B, F., B, plagosur pasagjerja Xh. B ndërsa drejtuesi i mjetit A. A ndodhet në SQU nën kujdesin mjeksor

Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e rrethanave dhe shkakut të aksidentit.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb