TIRANE-Mëngjesi i kësaj të marte i gjeti shumë qytetarë në Tiranë në terr informativ. Ekranet e televizorit në shumë familje nuk kishin asnjë sinjal. AMA ndërpreu gjithë transmetimet analoge dhe njoftoi se që sot e tutje do të fillonte era e dixhitalizimit. Por për dixhitalizimin nuk mjafton një antenë e thjeshtë.

Që të shohësh në mënyre digitale, lajmet, filmin tënd të preferuar, një dokumentar, apo emisione duhet përveç televizorit edhe një aparaturë tjetër, që quhet dekoder DVB-T2.
Kjo aparaturë ishte më e kërkuara sot në treg, ndërsa jashtë dyqaneve që e shesin, situata të kujtonte radhët e kohëve të vjetra.

Të acaruar e të revoltuar nga pritja në radhë dhe me vakumin që u ka lënë mungesa e informimit shumë qytetarëve lehtësisht u humbiste durimi. Disa prej qytetarëve mbajnë radhe për të dytën ditë radhazi. Shumica janë pensionistë, shtëpiake, invalid, kategoria më e lidhur me televizorin. Thonë se e blerja e një dekoderi DVB-T2 është kosto e madhe për xhepat e tyre.

Madje disa refuzojnë ta blejnë ne pikat e platformave private, të tjerë me nervozizëm shprehen se paguajnë taksë për Televizionin Publik Shqiptar dhe se kjo situatë është e padrejtë. Nga ana tjetër shumë qytetarë që e kishin blerë dekoderin e kërkuar, endeshin në kërkim të informacionit për funksionimin e tyre.

News24 sqaron qytetarët se dekoderi DVB T2 mund të blihet edhe në pika që tregtojnë pajisje elektroshtëpiake. AMA e ka bërë të qartë se 34 kanale janë gjithmonë të hapura dhe nuk është nevoja të paguhet asnjë lek shtesë.

Ndërkohë që nuk bëri ndonjë fushatë intensive për të paralajmëruar dhe sqaruar njerëzit për mënyrën e funksionimit të digitalizimit të transmetimit, AMA vetëm pak orë pas vendimit të parë ku ndërpreu transmetimin analog për qarkun e Tiranës dhe Durrësit, në dy qarqe ku banojnë rreth 1/3 e popullatës së Shqipërisë, vendosi të shtyjë për 4 muaj digitalizimin.

Sinjali analog do të fiket në 15 janar 2019, vendim që me siguri do të shkaktojë një tjetër rrëmujë, për ata qytetarë që tashmë janë pajisur me dekodera dhe i kanë instaluar ato.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb