Drejtuesi politik i Partisë Demokratike për Qarkun Shkodër, Luçiano Boçi, ka ngritur akuza për situatën që ai e cilëson si katastrofë mjedisore me pasoja të rënda për shëndetin e qytetarëve dhe mjedisin.

Nga landfilli i Bushatit, Boçi deklaroi se problematika nuk është e rastësishme, por vjen si rrjedhojë e korrupsionit dhe keqmenaxhimit në Bashkinë e Vau të Dejës. Boçi paralajmëroi gjithashtu se ky landfill përbën rrezik serioz ekologjik për zonën e Shkodrës, Lezhës dhe Vau i Dejës, ndërsa qytetarët përballen edhe me tarifa të rritura të pastrimit, pavarësisht përkeqësimit të situatës mjedisore.

Prononcimi për media:

Siç e shihni, pamja pas e tregon qartë situatën.
Zjarret vazhdojnë, megjithëse koha ka qenë me shi, shiu nuk ka ndikuar pothuajse fare. Jemi para një katastrofe mjedisore me pasoja katastrofike edhe për shëndetin e njerëzve dhe për mjedisin. Dhe e gjitha kjo nuk është rastësi, nuk është prej temperaturave të larta, nuk është rastësi zjarrvënie e ndodhur padijeni, është pasojë e korrupsionit, e keqmenaxhimit të Bashkisë së Vaut të Dejës. E them këtë sepse ka një strukturë e cila ka të gjithë përgjegjësinë për menaxhimin e kësaj, që nis me administratorin, që nis me këshillin mbikëqyrës, që nis edhe vazhdon edhe me pjesën e SH.A-së që e ka për detyrë dhe që ka në krye kryetarin e Bashkisë së Vaut të Dejës, i cili përcakton të gjithë zinxhirin përgjegjës që merret me menaxhimin e landfillit të Bushatit. Sigurisht, ka lidhje me operatorët, por keqmenaxhimi që vjen nga këto struktura që varen nga Bashkia e Vaut të Dejës ka sjellë këtë situatë katastrofike dhe që në të vërtetë është një bombë ekologjike për zonën. Por, sikurse është bombë ekologjike, është një minierë ari, përfitimet e atyre që e kanë keqmenaxhuar dhe keqmenaxhojnë për qëllime përfitimi. E them këtë sepse, megjithëse kemi këtë situatë, këtë bombë ekologjike, sot banorët e Vaut të Dejës, banorët e Lezhës, banorët e Shkodrës, qarkut Shkodër edhe qarkut Lezhë, së bashku paguajnë tarifë pastrimi dy herë më të lartë.
Janë rritur kostot dy herë, paratë merren dyfish, merren dhe më shumë, dhe ja ku është pasoja, pasojë fatale e menaxhimit korruptiv që i bëhet landfillit pikërisht nga ata që janë përgjegjësit kryesorë për këtë situatë, që nisin me kryetarin e bashkisë, me këshillin mbikëqyrës, dhe me administratorin. Sigurisht, ne kemi dhe zotërojmë dokumentat e qarta që emërimet këtu janë fiktive, të të gjithë këtij zinxhiri. Janë bërë për interesa personale, politike, fushatorë, patronazhimi, votave, dhe pas këtyre interesave janë dhe interesat ekonomike të atyre që i bëjnë këto emërime, dhe që për pasojë kemi këtë situatë që duket qartë që do vazhdojë, dhe kontaminimi, helmimi i qytetarëve, i zonës, i mjedisit, i çdo gjëje që ekziston këtu, do vazhdojë dhe pasojat janë të pariparueshme. Ai tym që shihet aty është kancerogjen. Qartazi është kancerogjen. Dhe vërtet unë mendoj që banorët duhet të jenë në alarm, banorët duhet të reagojnë. Ne jemi në krah të banorëve, patjetër, do vazhdojmë denoncimet tona edhe nga selia e Partisë Demokratike me fakte dhe me dokumenta.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb