Ngjarja e rëndë në Pogradec, ku për shkak të zjarrit u dogjën 12 apartamente, risjell në vëmendje nevojën për sigurimin e shtëpive në Shqipëri.

Presidenti i EUROSIG Kadri Morina, thekson se sigurimi i pronës duhet të jetë i detyrueshëm, dhe një domosdoshmëri e menjëhershme, e për këtë qeveria duhet të prezantojë nisëm ligjore konkrete. Ai këmbëngul se sigurimi nuk duhet gjykuar si taksë, por si shërbim që qytetarët marrin në raste nevoje.

Zoti Morina thotë se në dijeninë e tij, ekspertë të Bankës Botërore po punojnë në hartimin e një projektligji për sigurimet e pronës, por vetëm i kanalizuar vetëm në një drejtim, duke lënë pa mbuluar dëmet nga rreziqet e tjera.

Tërmeti i 26 nëntorit tregoi nevojën për sigurim të shtëpive. Shuma e parave që qytetarët do duhet të paguajnë për të siguruar shtëpitë sipas presidentit të EUROSIG, Kadri Morina, nis nga në 50 euro. Përfitimet janë të garantuara, pasi mundësia e ndodhjes së një ngjarje ekziston.

Për Kadri Morinën vëmendja duhet të përqendrohet edhe tek sigurimi i atyre punonjësve të shtetit, të cilët janë në vijën e parë të ndërhyrjes së shpejtë, duke përballuar rreziqet, sikundër ishte rasti i zjarrfikësit në Pogradec, i cili u lëndua gjatë ushtrimit të detyrës.

Por a kanë kapacitetet financiare kompanitë shqiptare të sigurimit për të përballuar kostot e dëmeve? Zoti Morina jep garancitë se gjithkush që është i siguruar e mund të preket nga fatkeqësitë natyrore apo çdo dëm tjetër do dëmshpërblehet, pasi vetë kompanitë e sigurimit kanë kapitalin e tyre të siguruar në agjencitë më të mëdha në botë të sigurimeve.

Sipas presidentit të EUROSIG, nëse pronat do ishin të siguruara, paratë që do viheshin në dispozicion për dëmshpërblim do kishin ndikim direkt edhe në ekonominë vendase, pasi do shndërroheshin në të ardhura pozitive për shtetin, i cili jo vetëm nuk do disbursonte nga buxheti i tij, por të ardhurat do ndikonin në GDP-në e vendit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb