Ish-presidenti Bamir Topi është paraqitur sot Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion, për dosjen ‘Partizani’.

Siç shihet nga pamjet, Topi është paraqitur në GJKKO i vetëm, ku do të dëshmojë në procesin për privatizimin e ish-kompleksit Partizani.

Kujtojmë se në këtë proces të hapur ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi janë thirrur dëshmitarë disa personalitete të politikës.

Pjesë nga dëshmia:

Topi: Malltezin e njoh si dhëndrin e Berishës me të cilin kam bashkëpunuar një kohë të gjatë. Kurrë nuk jemi ulur për një kafe, njohje në distancë.
Me Xhimo Begenë e njo si një pjestar të një familjeje të njohur. Kemi jetuar afër tek lagjja e vjetër, por nuk jemi ulur ndonjehere bashkë.

Bektashin e njoh si personazh dikur të përfshirë në politikë. Mbaj mend që ka qenë zv.ministër dikur. Kam përshtypjen në qeverinë Meksi.

President kam qenë 24 korrik 2007- 24 korrik 2012. Si president, unë isha edhe Komandant i Përgjithshëm i FA.

Procesi i planit të përhapjes ishte një proces teknik. Përgatitja bëhej nga Shtabi i Përgjithshëm në Ministri të Mbrojtjes.

Në 2 prill 2008 erdhi ftesa për NATO. Gjithë procesi asistohej nga ekspertë të NATO. Ishte proces që te Presidenti vinte vetëm për tu mbyllur juridikisht. Nuk mund të precizoj sa herë ka mbërritur tek unë. Duhet të kenë qenë disa procedura.

SPAK: Jeni vënë në dijeni me ndonje problematikë tek Partizani?

Topi: E kam pritur Vladimir Qiriazin, edhe për shkak të funksionit si gjeneral. Në fund të ditës, shefi i kabinetit më tha qe u konsultua, ndamë mendimet, por është një terren i dalë nga plani i përhapjes në 2007, që do të thotë që është në kompetencën e strukturave të qeverisë.

SPAK: A keni dijeni që sektori anti-korrupsion në Kryeministri të jetë angazhuar për Partizanin?

Topi: Nuk kam dijeni.

SPAK: Jeni njoftuar shkresërisht nga Vladimir Qiriazi për ndonjë problematikë?

Topi: Unë atë mbaj mend. Takimin dhe konsultën.

SPAK: Kush i propozonte shkarkimet e gjeneralëve?

Topi: Nuk di ta them si procedurë. Ishte pjesë e propozimit që vinte nga Shtabi i Përgjithshëm.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: