Teksa sot Ardi Veliu konfirmoi dorëheqjen e tij nga drejtimi i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, ky vendim u paralajmërua pak ditë më parë nga ish-drejtori i Policisë, Shemsi Prençi. Ky i fundit, deklaroi më 11 tetor në emisionin “Në Shënjestër”, të gazetares Klodiana Lala, në News24, se pritet që të kërkohet largimi i Ardi Veliut nga AMP, pasi sipas tij, është personi që ka inkriminuar policinë dhe ka shtruar mina me sahat, mbi të cilat ecin drejtuesit e sotëm.

“Rrumbullaku pas marrjes së detyrës, me pjesët e besueshme të policisë, dhe këto persona nuk mund të bëhen pjesë e operacioni. ‘Flakë në det’ është dekonspiruar në momentin final, por menduan se nuk kishte veprime nga deti. Në këtë kontekst, duhet të kuptojmë se me të vërtetë nuk u dekonspirua, por në fund kur mbërriti RENEA që nuk e priste komisariati i Laçit.

Unë kam një informacion tjetër… shkëmbimi i hashashit me drogat e forta në det, nuk u bë vetëm atë natë në atë zonë, është bërë dhe herë të tjera, në Jon dhe Adriatik. Është lojë që vijon prej kohësh, dhe jo vetëm e këtij grupi. Ka qenë dhe një periudhë kur makinat e ministrisë së brendshme transportonin drogë, në kohen e Haki Çakos, kur shefat mblidhnin 20% e fitimit… në 2016 kur u mbush Shqipëria me drogë. Do të kërkohet dorëheqja e Ardi Veliut, është personazhi që ka inkriminuar policinë e shtetit, që ka bërë rokada me oficerët e implikua. Ai sot udhëheq AMP. Rrumbullaku dhe lidershipi punojnë mbi mina me sahat që i ka shtruar Veliu”, u shpreh Prençi.

Kujtojmë se Veliu ka zhvilluar sot një mbledhje me vartësit e tij, të cilëve u ka bërë me dije largimin e tij nga AMP. Ende nuk dihet arsyeja për largimin e tij, apo kush do ta pasojë Veliun në këtë detyrë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb