TIRANË

Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi sot se Bajrat me Pëllumb Gjokën e vendosën Shkodrën nën pushtim të plotë.

Në tryezën e debatit “Pushteti i Krimit”, Berisha hodhi akuza të rënda ndaj kryeministrit Edi Rama, ministrit të Brendshëm Taulant Balla, drejtorit të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Ardi Veliu etj.

Berisha tha se në EncroChat janë 60 oficerë kryesorë policie, të gjithë në regjistrime në bashkëpunim të ngushtë me krimin. Për Ardi Veliun u shpreh se është figura qendrore e krimit në Policinë e Shtetit që sipas tij ka vendosur linjë private të komunikimit me krimin, të survejimit të opozitës, të survejimit të kundërshtarëve politikë nga Oltian Bistro me shokë.

“Kur u lirua Safeti, terrorizonin Shkodrën me në krye Spiropalin e Edi Ramës. Spiropali ishte një zbatuese e porosive, kurse fijet e Bajrave çonin te Balla dhe Rama.

Fijet e Pëllumb Gjokës dhe bandave të Laçit, të Beratit, të Elbasanit çonin direkt tek Edi Rama. Çfarë ndodhi me dorëzimin e një pjese të transkriptimeve të shërbimeve inteligjente franceze, belge, holandeze dhe pjesërisht britanike? Një shtrëngim ekstrem i radhëve të krimit. Edi Rama emëron në krye të ministrisë personin pikërisht që është i interceptuar duke ndërsyer banditët kundër kundërshtarëve politikë, Taulant Ballën. Emëron Taulant Ballën, i cili jo vetëm në telefonat e kriptuar, por edhe telefonat magafonë të organeve ligjzbatuese të Shqipërisë është i regjistruar në të gjitha variantet, duke komanduar banda, duke porositur vrasje. Shkatërrohen përgjimet me vendim gjykatësi dhe prokurori sepse ishte në regjistrim. Është i kallëzuar në sallën e gjyqit si një njeri i angazhuar në porosi vrasjeje. Ndodhi ngjarja në 21 prill, Ardi Veliu, një nga balozët më të zinj të krimit në Shqipëri, në Ballkan dhe Europë doli menjëherë dhe tha se trafikanti Greca nuk kishte asgjë në makinën e tij. S’ka diskutim që Saimir Tahiri ishte përfaqësues krimi, përfaqësues i një ndër bandave trafikante më të mëdha. Por ta dinë mirë shqiptarët, Tahiri nuk ishte as 1/3 e Ballës në lidhje me krimin. Rrajat shkoi i nxori nga burgu. Ata dy Rrajat e tjerë rrinë mirë e bukur në Borizanë, nuk i prek njeri, sepse kanë Taulantin”, tha Berisha.

Ai deklaroi më tej se krimi ka pushtuar segmentë vendimmarrës kryesorë të këtij vendi.

“Ardi Veliu, figura qendrore më e zezë e krimit në Policinë e Shtetit. Ardi Veliu ishte drejtori i Policisë së Tiranës. Ishte zënë nga Policia e Shtetit për bashkëpunim në trafiqe, bota e krimit e solli drejtor policie në Tiranë.

Në përgjimet në bisedime me mafiozin tjetër, D’Alesandro thotë atij drejtorit ia mbushëm mirë koshat me mish derri të zi, me opium dhe mozarella, kokainë.

Po çfarë ndodhi me Ardi Veliun? Pas transkriptimeve të publikuara në median shqiptare në vitin 2017, Ardi Veliu lartësohej në drejtor të përgjithshëm të policisë.

Ardi Veliu, pas një seri krimesh të shëmtuara publike, pas mashtrimesh në mbrojtje të krimit, siç është rasti i vrasjes së Rashës, i beson Edi Rama shërbimin inteligjent të Policisë së Shtetit.

Çfarë ka bërë Ardi Veliu? Ka vendosur linjë private të komunikimit me krimin, të survejimit të opozitës, të survejimit të kundërshtarëve politikë nga Oltian Bistro me shokë. Dhe tani lan duart.

Në EncroChat janë 60 oficerë kryesorë policie, të gjithë në regjistrime në bashkëpunim të ngushtë me krimin. Hetimi i Encrochat ka gjetur se në Shqipëri, krimi dhe pushteti janë një, janë të shkrirë”, tha më tej ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb