Avokati Spartak Ngjela tha në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, në News24, se me zhvillimet e fundit politike, që nga shpallja e Berishës “non grata”, te nisma për shkarkimin e Metës e deri të zgjedhjet në PD e Kongresi i PS, pritet që të ketë një qeveri teknike.

I pyetur nga gazetari Balla se si e parashikon vitin e parë politik, pas këtyre zhvillimeve, Ngjela u shpreh se “Me qeveri teknike. Nëse do të dalin këto që them unë, do fillojnë proceset penale, do të krijohet një qeveri teknike. Kështu ka ndodhur në vendet e tjera të botës, kur jemi në reformë për vendosjen e drejtësisë. Kjo qeveri teknike do të çojë në zgjedhjet e para të lira dhe të pavarura në Shqipëri”.

Më tej, avokati komentoi nismën e PS për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, duke thënë se sjella e këtij të fundit ishte anti-amerikane.

“Meta është në pozicion anti-amerikan. Anti-amerikanizmi është anti-shqiptarizëm, merr fund. Pse e bëri? Fajësia është qëndrimi psiqik i personit ndaj veprës. për të nxjerrë qëllimin. Unë nuk e di si do të mbrohet në gjykatë Meta, por deri tani del si anti-amerikanizëm. Anti-amerikanizmi i jep energji negative shkeljeve. Deri tani ka imunitet, është me vaksinë, po ta heqin si President, s’ka vaksinë, do vejë te Covid-i”, theksoi avokati.

Më tej, Ngjela tha se Basha nuk do të rizgjidhet kryetar i Partisë Demokratike, nëse nis procesi penal ndaj Berishës para 13 qershorit.

“Po të fillojë procesi penal juridik deri më 13 qershor kundër Berishës, nuk fiton dot Basha. Që procesi do fillojë, është e sigurt, por nëse ndodh para 13, nuk fiton dot Basha. Kjo e dëmton shumë”, shtoi Ngjela.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb