Ermir Lecini student dhe aktivist, pjesëmarrës në protestën popullore prej ditës së parë të saj, në programin e drekës me Ola Bruko, në News24, u shpreh se qytetarët do të vazhdojnë të qëndrojnë në shesh, deri në largimin e kryeministrit Edi Rama. Lecini tha se protestuesit nuk tërhiqen nga kërkesat e tyre për ndryshimin e klasës politike. Aktivisti nuk kursen as opozitën dhe liderin e saj Sali Berisha, duke e konsideruar pjesë të sistemit dhe klasës politike që largojnë.
“Protesta e ka bërë Ramën të gabojë në deklarata, është nën presion. Një i pabesë nuk mund të kërkojë ndjesë, është personi i fundit në Republikën e Shqipërisë që mund të kërkojë besën. Ai zgjedh që protestuesit t’i injorojë, sikur nuk ekzistojnë. Në retorikën e tij ka zgjedhur t’u drejtohet atyre që i kanë mbetur më besnikë, siç është mosha e tretë. Ne kërkojmë ndryshimin e sistemit, të këtij sistemi që nuk është produkt i një individi, prandaj thirrja jonë nga sheshi është “Rama në burg, Berisha në burg”. Qytetarët ankohen edhe për opozitën, nuk ndihemi të përfaqësuar. Ne i thërrasin drejtësisë që të hetojë ata që konsiderohen mbi ligjin. Rama, Berisha kushdo që të jetë nuk mund të jetë mbi ligjin. Ndryshimi i klasës politike është e panegociueshme. Kërkesat tona nuk ndryshojnë, vendosmëria jonë nuk është e vogël, ne do të vazhdojmë të qëndrojmë në shesh.
Por pse protestojnë studentët?
Lecini renditi disa arsye nga mungesa e investimeve në arsim, bursat e pamjaftueshme, kushtet në konvikte etj.
“Ka probleme të pafundme me të cilat ndeshen studentët. Dhe nuk mund të heshtim”, tha ai.
