TIRANË

Partia Demokratike ka reaguar pas publikimit të fakteve të reja nga Presidenti i Republikës për kapjen e Gjykatës Kushtetuese. Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gzment Bardhi tha se dokumentet e bëra publike janë tronditëse dhe se Qeveria, parlamenti, KED janë pjesë e një organizate mafioze për të asgjësuar pavarësinë e Gjykatës Kushtetueses.

Sipas tij, është një tjetër akt i paprecedentë që minon ndarjen dhe balancimin mes pushteteve, shtetin ligjor dhe besimin e qytetarëve tek drejtësia, zhbën Reformën në Drejtësi dhe thellon krizën politike dhe institucionale në vend.

“Tentativa kriminale e Edi Ramës për uzurpimin e Gjykatës Kushtetuese u çmontua sot me të tjera fakte të pakundërshtueshme nga Institucioni i Presidentit të Republikës.
Qeveria e Edi Ramës me Etilda Gjonajn, Parlamenti i Edi Ramës me Gramoz Ruçin, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i Edi Ramës me Ardian Dvoranin tani janë të provuar me dokumenta zyrtarë se janë pjesë e një organizate mafioze për të asgjesuar pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese që në lindje. Me një skemë kriminale, Qeveria ka ndërmarrë veprime aktive për t’i rrëmbyer kompetencën kushtetutese Presidentit të Republikës për emërimin e një anëtari të Gjykatës Kushtetuese dhe për të emëruar aty një shërbëtore politike të Qeverisë.
Dokumentat e bërë publikë nga Presidenti janë tronditës. Qeveria boton në Fletoren Zyrtare një akt për llogari të KED-së, që sipas Kushtetutës është një institucion pa asnjë lidhje me Qeverinë. Është një tjetër akt i paprecedentë që minon ndarjen dhe balancimin mes pushteteve, shtetin ligjor dhe besimin e qytetarëve tek drejtësia, zhbën Reformën në Drejtësi dhe thellon krizën politike dhe institucionale në vend”, deklaron Bardhi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb