Departamenti i Drejtësisë amerikane ka mbyllur hetimin për keqpërdorimin e mundshëm të dokumenteve të klasifikuara të gjetura në shtëpinë e ish-zëvendës presidentit amerikan Mike Pence dhe nuk do të ngrejë asnjë akuzë. Vendimi vjen përpara se Pence të njoftojë kandidaturën për president.

“Byroja Federale e Hetimit dhe Divizioni i Sigurisë Kombëtare i Departamentit kanë kryer një hetim mbi keqpërdorimin e mundshëm të informacionit të klasifikuar. Bazuar në rezultatet e atij hetimi, nuk do të kërkohet asnjë akuzë penale”, thuhet në deklaratë e Departamentit të Drejtësisë.

Në janar, avokati i Pence gjeti dhjetëra dokumente të klasifikuara në shtëpinë e tij në Indiana pasi ish-zëvendëspresidenti i kërkoi avokatit të kontrollonte të dhënat e tij pas zbulimit të dokumenteve të klasifikuara në zotërim të Joe Biden.

Pence ia dorëzoi të dhënat e klasifikuara FBI-së pas zbulimit të tyre dhe Divizioni i Sigurisë Kombëtare i FBI-së dhe Departamentit të Drejtësisë nisi një rishikim se si ata përfunduan në shtëpinë e Pence. Ky i fundit tha se nuk ishte në dijeni se dokumentet ishin në shtëpinë e tij.

Departamenti i Drejtësisë është ende duke hetuar trajtimin e të dhënave të klasifikuara nga Trump dhe Biden. Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland ka caktuar një këshilltar special në çdo hetim, duke përmendur faktin se ata janë kandidatë për president.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: